Dita e Rinisë, Berisha: Edi Rama zhbëri një nga një arritjet e 8 Dhjetorit! Rilindja, hakmarrje ndaj demokracisë

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë fjalën sot në aktivitetin përkujtimor të PD me rastin e 33-vjetorit të Lëvizjes studentore të Dhjetorit '90, përkujtim që bëhet çdo 8 dhjetor si Dita e Rinisë. Aktiviteti në selinë e PD këtë vit u emërtua "Dhjetori i historisë dhe librave". 

Në fjalën e tij, Berisha tha: "Mblidhemi sot në këtë aktivitet për 8 Dhjetorin, për të nderuar 8 Dhjetorin e vitit 1990, datën e cila pas pavarësisë së Shqipërisë, pati rolin më përcaktues për kombin shqiptar.

Në histori nuk ka një datë të dytë tjetër, e cila solli për shqiptarët, një epokë që ata nuk e kishin përjetuar kurrëmë parë. Komb i sundimeve qindravjeçare perandorake, të dominuara nga perandoritë, i mbretërive, i diktaturave staliniste.

Më datën 8 dhjetor, studentët nisën lëvizjen e tyre, lëvizje që do ndante epokat për shqiptarët.

Lëvizja studentore e 8 dhjetorit ka veçantitë e saj, që e dallojnë atë nga të gjitha lëvizjet antikomuniste të Europës Lindore. Kjo lëvizje ishte tërësisht lëvizje revoltë e frymëzuar nga idealet e të rinjve studentë shqiptarë.

Nuk kishte një parti, nuk kishte një organizatë që i thirri ata apo i organizoi ata. Ata dolën ballë për ballë diktaturën, falë guximit të tyre epik. Dolën ballë për ballë me diktaturën për idealet e tyre të lirisë, të cilën ata nuk e njihnin. Ata kishin lindur dhe ishin rritur në diktaturë.

Liria për ta ishte një aspiratë, që buronte nga ndërgjegja, nga idealet e tyre. Ata kishin përballë kur dolën në shesh një diktaturë të egër, e cila sado që e lodhur, por ekzekutonte bashkëmoshatarët e tyre çdo javë në kufi. Dhe jo vetëm kaq, por zvarriste trupat e të rinjve të rënë në sheshet e qyteteve për të kallur tmerr dhe frikë. 
Në këto kushte nisën betejën e tyre studentët dhe atë ditë jemi gjetur përballë tyre me datën 9 ne me Besnik Mustafën, Kujtim Çashkun dhe ndonjë tjetër. U përballëm me një skenë të paparë ndonjëherë në jetën tonë. Aty ishin një grup prej 700, 800 apo mbase 1 mijë studente. Por ata ishin një grup prej 1 mijë heronjsh.

Ne nuk kishim lexuar, nuk kishim parë kurrë një numër kaq të madh heronjsh, të cilët kishin përballë mjetet më të egra të diktaturës, hanxharët e saj. Dhe ata u vërsulën drejt tyre në mënyrë mizore, i rrahën në mënyrën më barbare, por të pathyeshëm, të pamposhtur, ata do mblidheshin përsëri pasdite në betejë kundër diktatorit.

U ndala në këtë moment për të theksuar se guximi është arma mbinjerëore, është arma tokësore dhe mbitokësore e njeriut. Dhe ata studentë nuk kishin asnjë armë tjetër përveç guximit të tyre. Ata në fakt ishin në vetmi, nuk kishin askënd përveç njëri-tjetrit. Ata ishin të braktisur në atë rrugë, por nuk u mposhtën.

Sot, duhet të jemi realistë. Dhjetori kishte fillimin, ngjitjen, por përjetoi edhe rënien e tij. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe ne sot, mblidhemi këtu për ta nderuar atë me libra. Asnjë datë tjetër, asnjë ditë tjetër, asnjë lëvizje tjetër në historinë e kombit nuk i dha atij më shumë mbarësi sa dhjetori.

E nxori nga honet e mjerimit, honet e izolimit. E anëtarësoi në NATO. E bëri të lëvizë lirshëm në Europë, e renditi në kombet me të ardhura të mesme të larta. 

Por, siç thotë Xhek Goldstoun, diktatura hakmerret dhe të paktë ishin ata që realizuan pse Edi Rama quajti Rilindje dhe ç’nënkuptonte rilindja e Edi Ramës në fushatën elektorale dhe në vazhdim pas viteve 2013. Rilindja e Edi Ramës, nëse nuk u kuptua atëherë, ishte zhbërja, ishte hakmarrja ndaj demokracisë.

Në 10 vite, ai ia doli të zhbëjë një nga një, arritjet e 8 dhjetorit. Ai ia doli me vendosmëri të vendosë në Shqipëri një narkokraturë, një diktaturë bande.

Por një diktaturë, po aq moniste sa ç’ishte diktatura komuniste në kulmin e saj.
Ramiz Alia ishte diktator, pa diskutim, por monist si Enver Hoxha nuk mund të kishte një të dytë përveç Edi Ramës sot.

Sepse edhe ai kishte ca përreth, të cilët merrnin copëza pushteti dhe i përdornin natyrisht brenda kuadrit. Por i ushtronin ato.

Kur u themelua PD, u bënë përpjekje të mos regjistrohej, por të themi atë që është, u regjistruam."

"Ky 8 Dhjetor që është bërë i pavdekshëm në libra, i pavdekshëm në ndryshimet epokale të Shqipërisë, është një kushtrim për çdo shqiptar, të ngrihemi me sakrifica, me vendosmëri, të përmbysim diktaturën e re, diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve", deklaroi sot Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit përkujtimor në PD të Lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, e cila solli pluralizmin.

Berisha tha: "Sot ka një njeri, një armik të egër të vlerave të demokracisë dhe ky është Edi Rama, që rilindi faktikisht monizimin. Rilindi një monizëm kulmor. Një kryeministër që së fundmi rrëmben një nga një të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës. Pa lëre me për qytetarët se sa mund të bëhet fjalë.

Kjo diktaturë nuk ka kampet e përqendrimit, siç kishte diktatura hoxhiste. Por as burgjet e mbushura me të burgosur politikë dhe skuadrat e pushkatimit.

Por kjo diktaturë është faktuar si diktatura më genocidale e historisë së kombit shqiptar. Diktatura komuniste ushtroi gjenocid ndaj shiptarëve, por në kuptimin e nenit të konventës së OKB, përmasat e gjenocidit që shkaktoi diktatura e Edi Ramës, duke krijuar kushte për shpopullimin, tejkalojnë disa herë diktaturën komuniste. Arrin në 1.1 milionë shqiptarë të braktisin Shqipërinë në 10 vite.

Doktrina e Çubrilloviçit u pasurua nga Edi Rama me elementë shkatërrimtarë si rrënimi i votës, shkatërrimi i opozitës, përdorimi i pushtetit për shkatërrimin e opozitës.

Në këtë kontekst, ne përjetojmë sot rënien e dhjetorit 1990. Ne përjetojmë një diktaturë të re, një diktaturë shkatërrimtare, jo vetëm për vlerat e demokracisë, por për kombin në tërësi.

Sot, Edi Rama mblidhet se mendon se na impresionon. Mblidhet me 8 dhjetor. Ai mblidhet në mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat.

Më 11 dhjetor, zëri më vokal për të përdorur forcën kundër studentëve në plenumin e Komitetit Qendror që u mblodh atë ditë, ishte Baba Pilo, ishte Spiro Koleka, e përdora siç e përdorte Edi Rama.

Dhe sot ai ka rikthyer egërsisht pushtetin monist të etërve të tij.

Pra, ky 8 dhjetor që është bërë i pavdekshëm në libra, i pavdekshëm në ndryshimet epokale të Shqipërisë, është një kushtrim për çdo shqiptar, të ngrihemi me sakrifica, me vendosmëri, të përmbysim diktaturën e re, diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Por, meqë jemi te librat, duhet të them dy fjalë.

Revolucioni i vitit 1990 është ngjarja më e dokumentuar në historinë tonë kombëtare. Nuk ka një ngjarje të dytë në tërë historinë të jetë dokumentuar siç është dokumentuar pothuajse për çdo orë ky revolucion, që nga dita e parë deri në triumfin e 22 marsit 1992.

Kjo falë dhe një fakti, të themi të vërtetën. Triumfi i tij ishte triumf i masave, por fillimi i tij ishte fillimi i një grupi studentësh dhe intelektualësh, të cilët kanë meritën e veçantë.

Përshkruan të gjitha momentet që ata kanë përjetuar gjatë këtij revolucioni. Në këtë kontekst, libri i shkrimtarit Besnik Mustafaj, i pranishëm të nesërmen e fillimit të lëvizjes studentore dhe në vazhdim në çdo moment dhe në çdo kohë, përbën autobiografinë më të shkëlqyer të këtij revolucioni. Përbën njëkohësisht analizën por dhe sintezën e zhvillimeve të tij.

I tillë është libri i publicistit të mirënjohur, Blendi Fevziu. Edhe ai dëshmitar objektiv, pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve.

Të tilla janë publikime të tjera dhe qindra e qindra kujtime të dhjetoristëve për ditët në të cilat ata u shfaqën në horizontin e Shqipërisë si çlirimtarë dhe që merituan vlerësimin si engjëjt e demokracisë apo studentë liberaratorë."

EMISIONET