Kallëzim penal ndaj një biznesmeni nga Struga/ Dyshohet se dëmtoi buxhetin e shtetit me mbi 8 milionë denarë

Kallëzim penal ndaj një biznesmeni nga Struga/ Dyshohet se dëmtoi

Drejtoria e Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një personi nga Struga dhe një subjekti juridik, nën dyshimet për shmangie nga tatimi.

Sipas njoftimit zyrtar, personi me inicialet S.Z., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të kompanisë, dyshohet se ka kryer veprime me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar, duke mos deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj.

Hetimet kanë zbuluar dyshime për përvetësim të mallrave tregtare me vlerë mbi 26 milionë denarë, për të cilat nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për TVSH dhe tatime të tjera.

Sipas Policisë Financiare, përmes këtyre veprimeve buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i është shkaktuar dëm në vlerë totale prej 8.070.791 denarësh.

Rasti i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike në Strugë për procedim të mëtejshëm, ndërsa personi dhe kompania përballen me dyshime për veprën penale “Shmangie nga Tatimi”./TELEGRAFI

EMISIONET