Boçi: Raporti i PS për Reformën Territoriale është politik, jo produkt i komisionit!
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, doli në një deklaratë për mediat para Kuvendit, ku kundërshtoi raportin e paraqitur nga mazhoranca për reformën territoriale. Sipas tij, dokumenti nuk është produkt i punës së komisionit, por një raport politik që ka anashkaluar procedurat dhe diskutimet e parashikuara.
Boçi argumentoi se raporti nuk ka kaluar në fazat e vlerësimit, nuk janë diskutuar kriteret dhe metodologjia e reformës, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mos e pranojë si raport të komisionit.
"Raporti i vlerësimit duhej të përcaktonte parimet, kriteret dhe metodologjinë e reformës. Tani na vjen një dokument që quhet final, duke kapërcyer të gjitha këto faza. Ky është një raport politik, jo raport i komisionit dhe Kuvendi nuk duhet ta pranojë."-tha Boçi.
Më tej, ai kundërshtoi mundësinë që një grup deputetësh të zëvendësojë punën e një komisioni të posaçëm parlamentar, duke argumentuar se një veprim i tillë bie ndesh me vendimet e Kuvendit dhe krijon një precedent të rrezikshëm institucional.
Boçi tha se opozita kishte kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit, një praktikë që, sipas tij, është ndjekur edhe nga komisione të tjera parlamentare.
Ai shtoi se deputetët e opozitës kishin shprehur gatishmëri për të vijuar punën edhe gjatë muajit gusht dhe kishin zhvilluar dëgjesa publike në disa qarqe të vendit.
"Qëllimi i tyre është politik. E shohin reformën vetëm si grumbullim dhe kontroll votash, patronazhim dhe shtim administrate. Ne kemi bërë dëgjesa publike, kemi ngritur edhe një platformë online për të marrë mendimet e qytetarëve dhe kemi qenë të gatshëm ta vazhdojmë punën deri në përfundimin e reformës."-u shpreh ai.
Boçi argumentoi se mazhoranca ka zgjedhur të mos ndjekë të njëjtën qasje si në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku afatet u shtynë me dakordësi mes palëve.
Sipas tij, kjo tregon se raporti për Reformën Territoriale ishte përgatitur paraprakisht dhe po paraqitet në Kuvend jashtë procedurave të komisionit.


