“Na dërguan pamje të tmerrshme nga protesta"/ Vokshi: Protestuesit raportojnë djegie nga një lëndë blu
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti në Kuvend shqetësime për situatën e krijuar gjatë protestës jashtë Parlamentit, duke kërkuar ndërprerjen e seancës dhe daljen e deputetëve për të dëgjuar qytetarët.
Gjatë fjalës së saj në foltore, Vokshi kërkoi gjithashtu përgjigje nga kryeministri Edi Rama lidhur me akuzat për pasuritë e tij dhe të familjarëve, duke thënë se mungesa e tij në sallë nuk lejonte dhënien e sqarimeve publike.
"Ku është Edi Rama sot? Duhet të ishte këtu që të jepte llogari. Ka heshtur dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim publik për këto akuza që nuk vijnë nga opozita, por nga institucionet europiane."-tha ajo.
Më tej, deputetja solli në Kuvend mesazhe që, sipas saj, i kanë ardhur nga qytetarë pjesëmarrës në protestë. Ajo pretendoi se protestuesit janë përballur me një lëndë të panjohur me ngjyrë blu, e cila u ka shkaktuar djegie në lëkurë.
Vokshi kërkoi që seanca të ndërpritej dhe deputetët të dilnin jashtë godinës për të parë nga afër situatën e krijuar mes protestuesve dhe forcave të rendit.
"Kam marrë mesazhe nga protestuesit që thonë: 'Na mbytën këtu jashtë'. Kanë hedhur një lëndë blu që u ka shkaktuar djegie shumë të këqija në lëkurë. Kërkoj që të bëjmë pushim, të mbyllet seanca dhe të shkojmë t’i dëgjojmë problemet e qytetarëve."-shtoi deputetja.
Në vijim të fjalës së saj, Vokshi kundërshtoi edhe cilësimin e protestuesve si "terroristë", duke kërkuar që drejtuesi i seancës të mbajë qëndrim ndaj deklaratave të bëra në Kuvend. Ajo u shpreh se qytetarët që protestojnë nuk duhet të trajtohen si kërcënim dhe kërkoi reagim institucional ndaj situatës.


