“Mazhoranca solli një raport të paligjshëm për Territorialen"/ Berisha: PD propozon 90-110 bashki dhe rikthimin e komunave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat para Kuvendit, ku ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po procedohet me raportin e Komisionit të Reformës Territoriale.
Berisha u shpreh se raporti i paraqitur nga mazhoranca nuk është shqyrtuar më parë në komisionin parlamentar dhe, për këtë arsye, e cilësoi procedurën në kundërshtim me ligjin.
"Raporti që kanë sjellë socialistët nuk është paraqitur në komision. Paraqitet në mënyrë të kundërligjshme, në një kohë kur puna po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët."-tha ai.
Sipas Berishës, Partia Demokratike ka përgatitur një raport prej më shumë se 400 faqesh me propozime për reformën territoriale, i cili, sipas tij, ishte planifikuar të prezantohej në prani të ekspertëve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Ai u shpreh se varianti i opozitës parashikon një ndarje të re administrative me 90 deri në 110 bashki, si edhe rikthimin e komunave mbi baza të reja demografike.
"Ne kemi projektin tonë, i cili parashikon nga 90 në 110 bashki, por edhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike. Kemi bërë një punë shumë serioze në hartimin e kësaj reforme."-u shpreh Berisha.
Berisha akuzoi mazhorancën se ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e komisionit, pasi, sipas tij, konsultimet me qytetarët treguan kundërshtime ndaj ndarjes aktuale territoriale.
Ai u shpreh se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore mbeten çështje të rëndësishme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe kërkoi që puna për to të zhvillohet me konsensus dhe në përputhje me procedurat parlamentare.


