Në Ditën e Rinisë PS shpall platformën për Mandatin e Katërt. Agjenda e Kongresit
https://youtu.be/5PR4hc4_oq4
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Të organizuar ata marshuan nga “Qyteti Studenti” drejt qendrës së Tiranës. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me diktatorin e fundit Ramzi Alia u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.
Akti i tyre publik i dha fund epokës së gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Në kujtim të 33-vjetorit kësaj lëvizjeje gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ku përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të parës parti pluraliste do ta festojnë të ndarë.
Po kështu, në ironi të fatit, socialistët e drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur që të shpallin platformën e aksionit politik për sigurimin e mandatit të katër qeverisës.
Kongresi i PS-së
Partia Socialiste e Shqipërisë do të mbajë sot Kongresin, e cilësuar nga vetë mazhoranca si të jashtëzakonshëm, teksa është mësuar edhe agjenda.
Sipas agjendës të bërë publike, punimet e kongresit nisin në orën 11:45 dhe do të jenë të ndarë në 6 panele: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet zhvillimore, Qeverisja Vendore, Siguria dhe Shqipëria në botë si dhe Partia Socialiste 2030.
Ndërkohë, dje kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi teksa foli për kongresin ndër të tjera tha se do të bëhet një përmbledhje e gjithë rrugëtimit të qeverisë dhe do të reflektohet mbi gjërat që duhen të bëhen më mirë si dhe për projektin e Shqipërisë 2030.
“E jashtëzakonshme është se nuk është as zgjedhor dhe as sipas rutinës. Është një kongres që bëhet për të bërë një përmbledhje, për të reflektuar mbi gjërat që duhet të bëjmë më mirë dhe për të përcaktuar vizionin tonë për Shqipërinë e vitit 2030″ -u shpreh Çuçi.
AGJENDA E KONGRESIT TE PS