Keni etje gjatë verës? Këto ushqime ndihmojnë trupin të ruajë ujin

Gjatë ditëve të nxehta të verës, hidratimi i trupit bëhet më i rëndësishëm se kurrë, ndërsa përveç ujit, një pjesë e madhe e lëngjeve merret edhe përmes ushqimeve.
Ekspertët theksojnë se rreth 20 për qind e sasisë ditore të lëngjeve vjen nga ushqimet, ndaj përzgjedhja e produkteve të pasura me ujë mund të ndihmojë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në organizëm.
Në krye të listës renditet kastraveci, i cili përmban rreth 95 për qind ujë dhe është një nga ushqimet më efektive për hidratim. Ai është gjithashtu burim i vitaminës K dhe ka shumë pak kalori.
Edhe kungulli i njomë përmban rreth 95 për qind ujë dhe ofron antioksidantë, vitaminë C, kalium dhe magnez.
Ndër ushqimet e tjera hidratuese janë selinoja, domatet dhe lakra, të cilat përveç përmbajtjes së lartë të ujit sjellin edhe vitamina, minerale dhe antioksidantë që mbështesin shëndetin e përgjithshëm.
Në listë përfshihen edhe kërpudhat, luleshtrydhet, shalqiri dhe pjepri. Shalqiri përmban rreth 91 për qind ujë, ndërsa pjepri rreth 90 për qind, duke i bërë zgjedhje ideale për freskim dhe hidratim gjatë temperaturave të larta.
Përveçse ndihmojnë në hidratim, këto ushqime kontribuojnë edhe në forcimin e imunitetit, mbrojtjen e qelizave dhe përmirësimin e shëndetit të lëkurës e sistemit tretës.


