SHQIPËRIA “PARAJSA E LIRË”/ Pushime me kosto të ulët, Shqipëria fiton terren në Europë

Shqipëria po forcon pozitat si një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe më ekonomike në Europë.

Një raport i publikuar nga media spanjolle “Mundo Joven” e rendit vendin mes zgjedhjeve më të favorshme për vitin 2026, për turistët që kërkojnë pushime me kosto të ulët, por me një përvojë të plotë.

Raporti e cilëson Shqipërinë si një nga surprizat më të mëdha të turizmit europian, falë kombinimit të plazheve me ujëra të kristalta, natyrës së paprekur, qyteteve historike dhe çmimeve konkurruese.

Në analizë thuhet se bregdeti shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga Europa Perëndimore, ndërsa Riviera Shqiptare krahasohet me destinacione shumë më të shtrenjta të Mesdheut.

Shqipëria përshkruhet madje si “Maldivet e Europës”, për shkak të bukurive natyrore dhe kostos së përballueshme.

Sipas raportit, një darkë me fruta deti dhe verë vendase në zonat bregdetare kushton rreth 12 deri në 15 euro, ndërsa akomodimi në hotele pranë detit mbetet dukshëm më ekonomik sesa në shumë vende të tjera europiane.

Vlerësim marrin edhe destinacionet historike si Berati dhe Gjirokastra, të cilat, së bashku me rivierën, krijojnë një ofertë turistike të larmishme për vizitorët.

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se rritja e kërkesës për destinacione me çmime të përballueshme dhe përmirësimi i infrastrukturës po e kthejnë Shqipërinë në një nga destinacionet më të kërkuara të Europës për vitin 2026.

EMISIONET