Sherr me grushta dhe shkelma në Kolonjë/ 31-vjeçari arrestohet pasi plagosi rëndë një shtetas

Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Kolonjë, pasi dyshohet se ka plagosur rëndë një shtetas pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Starje, ku i dyshuari ka goditur viktimën me grushte dhe shkelma në trup dhe kokë, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Fillimisht, ai ka pretenduar se e kishte gjetur të plagosurin të shtrirë, por verifikimet e policisë kanë treguar se ai ishte vetë autori i sulmit.
I plagosuri është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë.
Policia ka sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe ka bërë arrestimin e 31-vjeçarit, ndërsa hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.


