Dorëzohen nënshkrimet për Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së/ Synohet shkarkimi i Abdixhikut

Dorëzohen nënshkrimet për Kuvendin e Jashtëzakonshëm

Të mërkurën janë dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Dorëzimin e nënshkrimeve e kanë bërë deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, dhe kryetari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi.

Zemaj ka konfirmuar se nënshkrimet janë dorëzuar te sekretari i partisë, në përputhje me dispozitat e Statutit të LDK-së.

“Po, mund të konfirmoj se nënshkrimet janë dorëzuar te Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në pajtim me dispozitat e Statutit të LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.

Kjo iniciativë vjen me synimin për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku partia u rendit sërish në vendin e tretë.

Më herët, Abdixhiku kishte refuzuar kërkesat e disa degëve të LDK-së për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi i Jashtëzakonshëm përbëhet nga 355 delegatë, ndërsa për thirrjen e tij nevojiten së paku 118 nënshkrime. Pas dorëzimit të tyre, Kryesia e LDK-së ka detyrimin që ta thërrasë Kuvendin brenda 60 ditësh.

EMISIONET