Dinamo kërkon përmbysjen ndaj Astanës/ Ilir Daja nga Kazakistani: Kur është e vështirë, është më e bukur

Dinamo kërkon përmbysjen ndaj Astanës/ Ilir Daja nga Kazakistani:

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur para sfidës së kthimit ndaj Astanës në Ligën e Konferencës, ku skuadra shqiptare do të tentojë një përmbysje pas humbjes 0-1 në ndeshjen e parë në Elbasan.

Dinamovitët do të zbresin në fushë më 16 korrik në orën 17:00 me synimin për të rikthyer rezultatin dhe për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër të garës evropiane.

Daja e pranoi se përballja ndaj ekipit kazak do të jetë e vështirë, sidomos për shkak të avantazhit të krijuar nga Astana në sfidën e parë, por theksoi se pikërisht sfidat e vështira kanë një bukuri të veçantë.

“Është një ndeshje që, ashtu si e para, ka vështirësitë e veta. E shton më shumë vështirësinë avantazhi i fitores në ndeshjen e parë nga Astana. Por kur është e vështirë, ndonjëherë është më e bukur, kur realizohet objektivi”, deklaroi Daja.

Tekniku i Dinamos vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar se Astana ka një organizim të konsoliduar nën drejtimin e stafit aktual teknik.

“Astana nën drejtimin e stafit teknik dhe trajnerit aktual ka një manovër të konsoliduar. Mendoj se është e bukur edhe e vështirë njëkohësisht të luash kundër Astanës”, u shpreh ai.

Daja rikujtoi gjithashtu përvojën e tij të mëparshme në Kazakistan me Ballkanin, duke theksuar mikpritjen që ka përjetuar gjatë aventurave të tij në arenën evropiane.

 

 

 

 

 

 

 

 

EMISIONET