Netanyahu përballet sërish me drejtësinë/ Rinis gjyqi për akuzat e korrupsionit në Izrael

Netanyahu përballet sërish me drejtësinë/ Rinis gjyqi

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është paraqitur sërish në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit, ndërsa ka rinisur një tjetër seancë e procesit gjyqësor ndaj tij për akuzat për korrupsion.

Në seancën e radhës po dëshmon ministri Ze’ev Elkin, ish-figurë e rëndësishme në partinë Likud, i cili është thirrur për të dhënë deklarime në lidhje me të ashtuquajturin “Rasti 2000”. Dëshmia e tij lidhet me bisedimet mes Netanyahut dhe botuesit të gazetës “Yedioth Ahronoth”, Arnon Mozes.

Prokuroria izraelite pretendon se Netanyahu ka negociuar për favore mediatike në këmbim të mbështetjes së masave që do të dëmtonin një media rivale. Kryeministri izraelit i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.

Netanyahu përballet me tre çështje të mëdha korrupsioni, të njohura si “Rasti 1000”, “Rasti 2000” dhe “Rasti 4000”, ku akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit publik.

Procesi gjyqësor pritet të vijojë deri më 20 korrik, përpara pushimeve verore të gjykatës, ndërsa seancat do të rifillojnë në muajin shtator. Ndërkohë, Netanyahu synon të kandidojë për një tjetër mandat në zgjedhjet e përgjithshme të Izraelit që pritet të mbahen në tetor.

 

EMISIONET