NJË INTERVISTË, KUDO KU JEPET, NUK ËSHTË QEVERISJE

NJË INTERVISTË, KUDO KU JEPET, NUK ËSHTË QEVERISJE

(Nga intervista e Kryeministrit për Euronews Serbia të realitetit që jetojnë qytetarët shqiptarë)
Në intervistën e tij për ‘Euronews Serbia’, Kryeministri Edi Rama e interpreton protestën që prej javësh vazhdon në Tiranë, jo si reagim ndaj shkaqeve që na kanë nxjerrë në shesh, por si pasojë e rritjes së pritshmërive të qytetarëve (!).

Sipas tij, protesta është, në një farë mënyre, "çmimi i suksesit" të qeverisë (!).

Intervistën mund ta lexoni këtu: https://l1nq.com/7oqoszv
Interpretimi i ofruar shfaqet politikisht inteligjent e pikërisht këtu lind problemi.

Në vend që të përballet me përmbajtjen e protestës, Kryeministri zgjedh t'i ndryshojë kuptimin asaj. Protesta nuk paraqitet si kërkesë për reflektim institucional, por si dëshmi e suksesit të qeverisë. Kjo intervistë dëshmon edhe njëherë se retorika mbetet arma politike më e fortë e Kryeministrit.

Por në kohën e sotme, retorika nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë.

Fjala mund të shpjegojë një vendim. Mund ta justifikojë përkohësisht, por nuk mund ta legjitimojë atë, nëse realiteti e përgënjeshtron. Askush nuk mund t'i mohojë Edi Ramës aftësinë për të ndërtuar narrativa politike.

Por historia nuk i mban mend drejtuesit për mënyrën si kanë interpretuar realitetin. Ajo i mban mend për realitetin që kanë ndërtuar, pasi qeverisja nuk matet nga aftësia për të ndërtuar narrativa. Qeverisja matet nga aftësia për të ndërtuar shtet.

Asnjë kryeministër nuk gjykohet nga mënyra si fiton debatet televizive. Ai gjykohet nga cilësia e sistemit arsimor që ndërton. Nga sistemi shëndetësor që u shërben qytetarëve. Nga drejtësia që frymëzon besim. Nga administrata që respekton ligjin. Nga ekonomia që u jep të rinjve arsye për të ndërtuar jetën në vendin e tyre. E, mbi të gjitha, nga besimi që qytetarët kanë te shteti i tyre.

Kjo është pasqyra ku matet çdo qeverisje. Jo në studio televizive. As në intervista. Në jetën e përditshme të njerëzve.

Realiteti nuk jeton mes fjalëve. Ai nuk ndërtohet me metafora. Ai ndërtohet me vendime. Realiteti nuk matet me mënyrën si përshkruhet. Ai matet me mënyrën si përjetohet.

Ai gjendet te mësuesi që nuk ndihet i vlerësuar. Te studenti që diplomohet me mendimin e parë për t'u larguar. Te prindi që nuk gjen siguri për fëmijët e vet. Te sipërmarrësi që kërkon rregulla të barabarta dhe te qytetari që, edhe kur proteston për javë të tëra, ndien se nuk dëgjohet.

Po, është e vërtetë se Shqipëria e vitit 2026 është më e zhvilluar se sa vite më parë dhe se pritshmëritë e qytetarëve janë rritur. Kjo nuk është një tezë politike. Ky është një fakt sociologjik.

E pikërisht sepse pritshmëritë rriten, rritet edhe përgjegjësia e qeverisë për t'i u përgjigjur atyre. Rritja e pritshmërive nuk mund të përdoret si argument për të relativizuar arsyet pse qytetarët protestojnë.

Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, protesta nuk është dekoratë për pushtetin. Protesta është mekanizmi përmes të cilit qytetarët i kujtojnë pushtetit kufijtë e tij. Protesta është mënyra me të cilën shoqëria i kujton qeverisë se legjitimiteti nuk fitohet njëherë në zgjedhje dhe nuk rinovohet me fjalime. Ai fitohet çdo ditë, përmes përgjegjësisë.

Prandaj pyetja nuk është:

Pse shqiptarët kërkojnë më shumë?
Pyetja është shumë më e thjeshtë:

Pse, edhe pasi flasin për javë të tëra, vazhdojnë të mos dëgjohen?
Detyra e një kryeministri nuk është të bindë qytetarët se realiteti është më i mirë se sa ata e përjetojnë. Detyra e tij është ta bëjë realitetin më të mirë.

Qeverisja nuk është arti i interpretimit. Qeverisja është akti i përgjegjësisë. Është guximi për të dëgjuar. Për të pranuar gabimet. Për të korrigjuar vendimet. Për të ndërtuar besim. Një intervistë mund të fitohet me fjalë. Një qeverisje fitohet vetëm me vepra.

Ne, qytetarët e këtij vendi, që kemi zgjedhur të jetojmë, të punojmë dhe të kontribuojmë këtu, nuk e shohim Shqipërinë nga studioja e një interviste.

Ne e shohim nga rruga ku ecim çdo ditë. Nga shkolla ku mësojnë fëmijët tanë. Nga spitali ku presim me orë të tëra. Nga paga që nuk na mjafton. Nga fëmijët që na largohen.

Zoti Kryeministër,

Nëse protestën e quani ‘çmimin e suksesit’ të qeverisjes suaj, atëherë qytetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin t'ju pyesin:

A është edhe largimi i vazhdueshëm i të rinjve pjesë e këtij sukesi, apo tregues se shumë prej tyre nuk e shohin më të ardhmen e tyre në Shqipëri?
A janë vështirësitë e arsimit, të shëndetësisë dhe të administratës pjesë e këtij suksesi, apo fusha që kërkojnë reforma shumë më të thella se sa një interpretim retorik?
Dhe, nëse protesta është dëshmi e suksesit, atëherë çfarë do të konsiderohej, sipas jush, dëshmi e dështimit?
Pikërisht aty ndodhet pasqyra që asnjë qeveri nuk mund ta shmangë. Jo te mënyra si e shpjegon realitetin, por te mënyra si e jetojnë qytetarët e saj.

Koha nuk i gjykon qeveritë nga intervistat që kanë dhënë. Ajo i gjykon nga shoqëria që kanë lënë pas.

Dhe pikërisht aty, më shumë se në çdo intervistë apo fjalim, gjykohet çdo kryeministër.

EMISIONET