FOTO/Mjalti kthehet në biznes fitimprurës për fermerët/ Prodhimi në Shqipëri rritet me mbi 30% në katër vite

FOTO/Mjalti kthehet në biznes fitimprurës për fermerët/

Mbarështimi i bletëve po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një burim të rëndësishëm të ardhurash për fermerët shqiptarë, ndërsa prodhimi i mjaltit ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se prodhimi i mjaltit në Shqipëri është rritur me 30.3% gjatë periudhës 2021-2025, duke arritur në 6,299 tonë në vitin 2025, nga 4,835 tonë që ishte katër vite më parë.

Rritja është evidentuar në shumicën e qarqeve të vendit, me përjashtim të Shkodrës, e cila ka regjistruar një rënie të prodhimit. Rritjen më të madhe e ka shënuar Gjirokastra, ku prodhimi pothuajse është trefishuar me një rritje prej 191.5%, ndërsa ritme të larta janë regjistruar edhe në Dibër, Tiranë dhe Elbasan.

Në vitin 2025, Korça kryeson listën e prodhuesve më të mëdhenj të mjaltit në vend me 1,006 tonë, e ndjekur nga Vlora me 855 tonë dhe Elbasani me 825 tonë. Këto qarqe, së bashku me Shkodrën, përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit kombëtar.

Zgjerimi i sektorit lidhet me shtimin e numrit të koshereve, interesin në rritje të fermerëve për bletarinë dhe kërkesën më të lartë të konsumatorëve për produkte vendase e natyrale.

FOTO/Mjalti kthehet në biznes fitimprurës për fermerët/

Për disa varietete të mjaltit, si ai i gështenjës, çmimi mund të kalojë edhe 30 euro për kilogram, duke e bërë këtë sektor një mundësi tërheqëse për investime në bujqësi.

Megjithatë, fermerët përballen ende me sfida si ndryshimet klimatike, sëmundjet e bletëve, përdorimi i pesticideve dhe varësia nga kushtet natyrore për kullotat e bletëve.

EMISIONET