Hetime për vjedhjen e 3 mln eurove/ Grupi auditues i Postës Shqiptare rikthehet në Durrës, kontroll të thelluar financiar

Hetime për vjedhjen e 3 mln eurove/ Grupi auditues i Postës Shqiptare

Zhvillime të reja në çështjen e dyshuar të abuzimit me fondet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.

Pas shkarkimit të drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe referimit të çështjes në Prokurori, në krye të filialit është komanduar Shpresa Ismaili, e cila mbante detyrën e shefes së burimeve njerëzore.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka rikthyer në Durrës grupin e auditit të brendshëm për një kontroll të thelluar financiar dhe administrativ.

Audituesit pritet të verifikojnë gjatë muajit korrik dokumentacionin financiar, rakordimin e fondeve dhe lëvizjet financiare të filialit, për të përcaktuar nëse abuzimet e konstatuara janë të izoluara apo kanë shtrirje më të gjerë.

Kallëzimi penal i depozituar nga Posta Shqiptare ndaj drejtuesve të filialit të Durrësit me short i ka rënë prokurorit Gazmend Frëngu. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se në të njëjtën dosje pritet të bashkohen edhe dy kallëzimet e tjera penale, ai i ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe ai i ish-shefes së financës Valbona Duni.

Dy drejtueset akuzojnë njëra-tjetrën për abuzim me detyrën, përvetësim fondesh dhe falsifikim dokumentacioni financiar, ndërsa kanë kërkuar hetim të plotë mbi veprimet e kryera në filial.

Përtej vlerës së 700 mijë eurove, apo 69 milion lekë të munguara në shërbimin e pagesave dhe të dokumentuara nga auditi i mëparshëm, dyshimet lidhen me një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro.

Gjetjet e auditit të ri pritet t’i vihen në dispozicion edhe Prokurorisë, e cila do të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe nëse ka pasur shkelje penale në administrimin e fondeve publike dhe nga kush. Deri në përfundim të hetimeve, të gjitha pretendimet e palëve mbeten objekt verifikimi nga organi i akuzës./TCH

EMISIONET