Kurti pret shefin e OSBE-së/ Thekson angazhimin e Kosovës për demokraci dhe sundim të ligjit

Kurti pret shefin e OSBE-së/ Thekson angazhimin e Kosovës për

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Feridun Sinirlioğlu, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet demokratike në vend, bashkëpunimin me OSBE-në dhe situatën në rajon.

Gjatë takimit, Sinirlioğlu e ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa kryeministri në detyrë ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Kurti ka theksuar se bashkëpunimi me këtë organizatë mbetet i rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

“Ne duam stabilitet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Stabiliteti i vërtetë arrihet përmes forcimit të institucioneve demokratike, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zbatimit të ligjit ndaj të gjithëve në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimeve të OSBE-së, duke përfshirë demokracinë, qeverisjen e mirë, llogaridhënien dhe bashkëpunimin paqësor.

Në takim, Kurti ka folur edhe për zhvillimet ekonomike, duke përmendur rritjen e Bruto Produktit Vendor në 12 miliardë euro, rritjen e të hyrave publike dhe investimeve të huaja direkte, të cilat sipas tij kanë kaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh.

Ai ka përmendur gjithashtu përparimin në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe se është larguar nga lista e vendeve të prekura nga brishtësia dhe konfliktet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky ishte takimi i dytë mes Kurtit dhe Sinirlioğlu gjatë këtij viti, pas takimit të zhvilluar në maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.

EMISIONET