Modelja ruse bëhet virale për ngjashmërinë e habitshme me Erling Haaland: Shpresoj që edhe ai të qeshë!

Një modele ruse ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale për shkak të ngjashmërisë së jashtëzakonshme me sulmuesin norvegjez të Manchester Cityt, Erling Haaland.
Anastasia Kostromitina, 24 vjeçe nga Moska, është bërë virale pasi publikoi një video në Instagram ku imiton shprehjet karakteristike të yllit norvegjez. Videoja, e postuar më 5 korrik, ka grumbulluar mbi gjashtë milionë pëlqime dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjet.
Modelja rrëfen se fillimisht nuk e besonte krahasimin me një futbollist. “Nuk e kuptoja se si mund t’i ngjaja një burri, aq më tepër një futbollisti”, u shpreh ajo.
Sipas Kostromitinës, miqtë dhe familjarët ia kishin vënë në dukje këtë ngjashmëri prej rreth katër vitesh. Megjithatë, vetëm pas rritjes së popullaritetit të Haaland gjatë Kupës së Botës 2026, ajo vendosi ta shfrytëzonte ngjashmërinë duke e bërë publike në rrjetet sociale.
Në videon virale, 24-vjeçarja riprodhon buzëqeshjen, shikimin dhe gjestet karakteristike të Haaland, ndërsa pranon se imitimi nuk i kërkon shumë përpjekje.
“Mendoj se e imitoj mjaft mirë, sidomos sepse nuk më duhet të sforcohem shumë”, tha ajo.
Anastasia e cilëson suksesin e papritur në rrjetet sociale si “një ëndërr” dhe shpreson që videoja të arrijë edhe te vetë Erling Haaland.
“Do të doja ta shihte videon dhe, pse jo, të qeshte edhe ai me gjithë këtë situatë”, përfundoi modelja.
Falë ngjashmërisë së pazakontë me një nga futbollistët më të njohur në botë, Anastasia Kostromitina ka fituar një popullaritet të madh në internet, duke u kthyer në një nga personazhet më të komentuar të ditëve të fundit.


