Kina përballet me ngadalësim ekonomik/ PBB-ja shënon rritjen më të ulët në mbi tre vite

Kina ka regjistruar rritjen më të dobët ekonomike në më shumë se tre vite, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me vetëm 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit.
Shifra e publikuar nga Zyra Kombëtare e Statistikave të Kinës është nën objektivin vjetor të qeverisë prej 4.5–5 për qind, duke reflektuar presionet e vazhdueshme mbi ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Të dhënat tregojnë se prodhimi industrial u rrit me 5.3 për qind në qershor krahasuar me një vit më parë, ndërsa shitjet me pakicë shënuan një rritje më të dobët prej vetëm 1 për qind.
Ekonomia kineze vijon të përballet me probleme në sektorin e pasurive të paluajtshme, rënie të besimit të konsumatorëve dhe ngadalësim të investimeve. Investimet në aktive fikse ranë me 5.7 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.
Nga ana tjetër, eksportet mbetën një nga shtyllat kryesore të aktivitetit ekonomik, duke u rritur me 27 për qind në qershor, çka tregon varësinë e Kinës nga tregtia ndërkombëtare.
Analistët kishin parashikuar një rritje prej 4.5 për qind për tremujorin e dytë, por rezultatet e publikuara treguan një performancë më të dobët, duke shtuar shqetësimet për ritmin e rimëkëmbjes së ekonomisë kineze.


