Korreshi: Rama po përdor lekët e të gjithë shqiptarëve për të bërë fushatën e tij. Situata në vend, alarmante
Për deputetin e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, kryeministri Edi Rama po përdor lekët e të gjithë shqiptarëve për të bërë fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare në vitit të ardhshëm.
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, Korreshi theksoi se edhe takimi në Selanik ishte dëshmi se ai ka akumuluar një mllef të jashtëzakonshëm tek shqiptarët, jo vetëm brenda vendit, por edhe tek ata që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.
“Nuk ka pensionist që sot nuk ndihet i fyer dhe i nëpërkëmbur nga kjo qeveri. Po ashtu nuk ka shqiptar që paguan taksa në këtë vend që të mos jetë i zhgënjyer.
Në këto 10 -12 vitet e fundit janë 700 mijë shqiptarë më pak, dhe kemi një administratë të tejmbushur.
Rama, nga ana tjetër, kontrollon të gjithë grosistët, firmat e mëdha, apo edhe oligarkët të cilët i ka blerë të gjithë, dhe ndaj ata nuk deklarojnë rroga dhe sigurime. Ndërsa pjesa tjetër është detyruar që të mbushë arkën.
E dimë shumë mirë situatën që po ndodh me fasoneritë të cilat po përjetojnë një krizë të thellë dhe nuk kanë asnjë subvencion nga shteti, ashtu si në bujqësi me fermerët, të cilët nuk arrijnë dot të sigurojnë fitime nga prodhimet e tyre.
Pra, kemi një rritje të sigurimeve që është një kosto shumë e madhe për vetë bizneset.
Pra, kjo skemë që thotë Rama kërkon një kohë të caktuar, pasi ai ka 12 vite në pushtet dhe nuk e ka bërë.
Vetëm me lekët e incineratorëve, 400 milionë euro, e kuptoni që pensionet mund të ishin rritur me kohë”, theksoi ndër të tjera ligjvënësi demokrat, Saimir Korreshi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETIN SAIMIR KORRESHI