Pas votimit të kredisë 302 mln $ me SHBA, Shehaj zbardh lëvizjen e radhës: Kallëzim në SPAK për Kuvendin

Pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes për huanë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe blerjen e pajisjeve ushtarake, kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar para mediave duke folur për përplasjet e fundit në Parlament dhe kallëzimin që ka dorëzuar në SPAK.

Shehaj bëri me dije se ka depozituar një kallëzim penal lidhur me ngjarjen ku, sipas tij, deputetëve të opozitës iu pengua hyrja në ambientet e Kuvendit. Ai kërkoi që të zbardhen personat përgjegjës për këtë situatë.

“Ky është kallëzimi penal që kam bërë dhe që do ta dorëzoj në SPAK në lidhje me atë që ndodhi herën e fundit. Është e papranueshme që të dhunohet opozita”, u shpreh Shehaj.

Ai foli edhe për kërkesën e mazhorancës për përjashtimin e tij me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, duke e cilësuar si një përpjekje për t’i kufizuar aktivitetin opozitar.

“Është kërkesa e katërt në pesë muaj për të më përjashtuar nga Kuvendi. Kjo nuk do të na ndalojë. Do të vazhdojmë të bëjmë opozitë në parlament, në media, në rrjete sociale dhe me qytetarët”, tha ai.

Sipas Shehajt, nëse përjashtimi miratohet, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ai u shpreh se masa 60-ditore duhet të zbatohet vetëm për raste të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit dhe jo për përplasjet politike.

Kreu i Partisë “Mundësia” foli edhe për marrëveshjen e financimit me SHBA-në, e cila u miratua në Kuvend me 74 vota pro, zero kundër dhe zero abstenime. Ai kërkoi më shumë transparencë mbi përmbajtjen e saj.

“Ai dokument nuk kishte detaje dhe nuk kishte asnjë arsye pse të ishte sekret. Marrëveshja ka kaluar në Senatin Amerikan dhe është dokument publik”, tha Shehaj.

Sipas tij, financimi lidhet me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA, por ai kërkoi që qytetarët të kenë më shumë informacion mbi përmbajtjen e marrëveshjes.

 

EMISIONET