Trump përplas Izraelin për F-35-të e Turqisë/ Askush nuk do të më tregojë çfarë duhet të shesim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas kundërshtimeve të Izraelit për mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë, duke deklaruar se vendimet për shitjet ushtarake i merr vetëm ai.
Trump hodhi poshtë çdo përpjekje për t’i diktuar politikën e shitjeve të armëve, duke theksuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është një mik i tij dhe se Turqia ka qenë një aleat i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara.
“Ai është një mik i imi dhe askush nuk më tregon se çfarë duhet t’i shesim”, u shpreh Trump, duke iu referuar Erdoganit.
Më herët, presidenti amerikan kishte bërë të ditur se po shqyrtonte mundësinë e lejimit të shitjes së avionëve F-35 për Turqinë, pavarësisht kufizimeve aktuale të vendosura nga SHBA-ja për shkak të blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar këtë mundësi, duke shprehur shqetësime për balancën ushtarake në rajon.
Trump, i cili pritet të takohet me Netanyahun në Uashington, tha se me Izraelin ka një marrëdhënie shumë të afërt, veçanërisht për çështjen e Iranit, edhe pse pranoi se ekzistojnë disa dallime mes tyre.


