Kroacia i jep mbështetje Shqipërisë për BE-në/ Grliç-Radman: Po ecni me ritëm të mirë, tejkaloni vendet kandidate

Mbështetja e Kroacisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë ishte në qendër të takimit që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Tiranë me homologun kroat, Gordan Grliç-Radman.
Ministri kroat vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke e cilësuar përparimin e arritur si rezultat jo vetëm i meritës por dhe reformave të ndërmarra.
"Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe mendoj që tashmë është koha. Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka arritur në rrugën e saj evropiane. Mbyllja e tre kapitujve është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimin në BE. Shqipëria jep shembull me arritjet e saj, ajo dëshmon se procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm vetëm kur një vend respekton detyrimet e tij dhe arrin rezultate konkrete duke përmbushur kriteret e përcaktuara, ashtu siç e bëri dhe Kroacia. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara dhe Shqipëria ka arritur përparim mbresëlënës në këtë rrugë. Shqipëria po ecën me ritëm të mirë duke i tejkaluar edhe vendet e tjera kandidate dhe kjo falë meritave të saj. Ju inkurajoj të ecni në këtë rrugë dhe patjetër keni mbështetjen tonë të plotë" tha ai.
Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, tha se pas mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave, Shqipëria mbetet e vendosur të përmbushë të gjitha reformat me synimin për të mbyllur procesin teknik të negociatave brenda vitit 2027.
"Qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim dhe angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe reformat e kërkuara, me qëllim realizimin e objektivave të vendosura për mbylljen e procesit teknik të negociatave brenda vitit 2027. Në këtë proces nuk ka as pauzë dhe as pushim. Ne mbetemi tërësisht të vendosur për të ruajtur këtë moment dhe ritëm, si dhe për të siguruar që çdo reformë që ndërmarrim të sjellë përfitime afatgjata për qytetarët shqiptarë dhe të forcojë besueshmërinë e shoqërisë shqiptare në këtë proces."-shtoi ministri.
Hoxha falënderoi gjithashtu Kroacinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Zagrebi ka kontribuar jo vetëm në aspektin politik, por edhe përmes ekspertizës së ofruar gjatë negociatave.
Në këtë kuadër, ai garantoi angazhimin e Shqipërisë për një rajon të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.
"Shqipëria do të mbetet e angazhuar për një Ballkan Perëndimor të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit, tërësisht të orientuar drejt familjes evropiane, ku i takon. Në këtë rrugë, Kroacia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, mbetet një partnere aktive, e besueshme dhe e domosdoshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e rajonit", tha Hoxha.


