Vijon pazari, Konkurrenca e Denar Bibës 'përkëdhel' One Albania për rritjen abuzive të çmimeve

Vijon pazari, Konkurrenca e Denar Bibës 'përkëdhel' One

Pas gati 3 muajsh hetim, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka marrë asnjë masë ndaj One Albania, por ka dalë sot me disa kërkesa për kompanitë, të cilat nuk dihet se sa do të zbatohen.
Autoriteti i Konkurrencës nuk ka marrë asnjë masë ndaj One Albania, për rritjen e tarifave celulare. Në maj të këtij viti, kompania rriti tarifat për numrat me kontratë, gjë që solli reagim të madh në publik, por duket se ja ka hedhur paq.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të nisë një hetim, por që në nisje u duk qartë se nuk do të kishte gjë në vijim. Institucioni i drejtuar nga Denar Biba nisi hetim për të dyja kompanitë celulare, si Vodafone ashtu dhe One, edhe pse Vodafone nuk kishte rritje.

Pas gati 3 muajsh hetim, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka marrë asnjë masë ndaj One Albania, por ka dalë sot me disa kërkesa për të dyja kompanitë, pra një lloj 'larje duarsh'.

“Brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç; paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale; pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara; çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara; çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet”, thekson Autoriteti i Konkurrencës.

Shumë mirë nëse do të ketë lehtësira për studentët dhe pensionistët, por kjo është asgjë krahasuar me aferat e One Albania. Ata që e pësuan nga rritja e çmimit do të vijojnë me të njëjtat tarifa dhe vetë kompania ja hedh pa asnjë gjobë.

Por nuk duhet të çuditemi pasi kompania hungareze i ka shpëtuar gjithmonë ndëshkimit. Në vitin 2024, pas bashkimit të Eagle Mobile me One, kompania ndryshoi serverët dhe pati probleme me shërbimin, duke lënë qytetarët për ditë të tëra pa oferta, internet, mesazhe etj. Në atë kohë, Denar Biba u pyet në Kuvend mbi këtë situatë. Por, në vend që të merrte masa, i doli në mbrojtje kompanisë. Madje u shqetësua për humbjet e saj se i kishin ikur shumë klientë.


“Kompania në fjalë kishte humbur një numër domethënës klientësh për shkak të një problemi teknik. Ndërruan serverët dhe patën probleme. Kur ti humbet treg, humbet para, nuk e di si mund të identifikohet shkelje e ligjit nga Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë pikë vlerësuam se nuk ishte e nevojshme për të shkuar në hetim”, tha Biba.

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Pamfleti" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Pamfleti". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi./ PAMFLETI

EMISIONET