Boksieri shqiptar Roberto Bakaj sfidon Anthony Joshuan/ Le t’u japim njerëzve atë që duan

Pas përballjes së Kristian Prengës me Anthony Joshuan, një tjetër boksier shqiptar ka dalë publikisht me një sfidë për ish-kampionin e botës në peshat e rënda.
Roberto Bakaj ka kërkuar një duel me britanikun, duke shprehur bindjen se një përballje e tillë do të tërhiqte vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.
“Le ta bëjmë realitet! Ju garantoj se miliona tifozë shqiptarë dhe tifozë të panumërt të boksit në mbarë botën do ta mbështesin këtë event. Le t’u japim njerëzve atë që duan”, ka shkruar Bakaj në mesazhin e tij.
Sfida vjen pas paraqitjes së Kristian Prengës ndaj Joshuas, ku edhe pse humbi me nokaut në raundin e dytë, arriti ta rrëzonte dy herë britanikun në raundin e parë, duke marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Roberto Bakaj është një nga emrat interesantë të boksit shqiptar në kategorinë profesioniste. Ai ka zhvilluar 16 meçe dhe i ka fituar të gjitha me nokaut, një statistikë që e rendit mes goditësve më të fuqishëm të kategorisë së tij.
Ndërkohë, Anthony Joshua pritet të vazhdojë përgatitjet për duelin e shumëpërfolur me Tyson Fury, një nga përballjet më të mëdha të mundshme në historinë e boksit britanik. Megjithatë, sfida e Bakajt ka shtuar edhe një tjetër emër shqiptar në listën e sportistëve që kërkojnë përballjen me yllin britanik.


