Besa, Kanuni, Kushtetuta, Atdheu, Demokracia, Shteti i së Drejtës, Kodi i Nderit!

Besa në traditën shqiptare është një prej shtyllave më të shenjta kulturore dhe shpirtërore. Ajo është një pakt ekzistencial, ku fjala e dhënë mbante peshën e nderit, jetës dhe përkushtimit ndaj Zotit dhe atdheut.
Kur ky konceptualizim vendoset në rrafshin e politikës moderne, sidomos përmes figurave qendrore të tranzicionit shqiptar si Sali Berisha dhe Edi Rama, kuptimi i besës pëson një transformim rrënjësor, duke kaluar nga ideali etik drejt kalkulimit pragmatik.
Në kanunin e moralit kombëtar, besa nuk ka qenë thjesht një marrëveshje administrative apo një premtim verbal. Ajo përbënte një pakt sakral:
Me Zotin si dëshmitar suprem të së vërtetës, nderit dhe drejtësisë.
Me atdheun si detyrim sublim për t’i shërbyer bashkësisë kombëtare, përtej interesave personale apo partiake.
Për rrjedhojë, shkelja e besës nuk sillte vetëm humbjen e besueshmërisë, por edhe rënien e nderit dhe degradimin e autoritetit moral.
Nga këndvështrimi i besës, po i analizojmë dy figurat kryesore të politikës shqiptare, Sali Berishën dhe Edi Ramën, marrëdhënia e të cilëve, sipas kësaj qasjeje, ka ndikuar në ndërtimin e sistemit politik të pas vitit 2008, përmes ndryshimeve kushtetuese që prekën mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe përfaqësimit politik.
Te Sali Berisha, koncepti i besës shpesh shfaqet i lidhur me diskursin tradicional dhe malsor, si një përpjekje për ta paraqitur fjalën e dhënë si të palëkundur, të bazuar në burrëri dhe në shprehjen: “Mos të vdektë fjala”.
Berisha ka përdorur shpesh retorikën e besës tradicionale për të ndërtuar aleanca, për të kërkuar besnikëri nga mbështetësit dhe për të paraqitur veten si mbrojtës të interesit kombëtar.
Megjithatë, në realitetin politik të dekadave të fundit, aleancat e krijuara dhe të prishura me aktorë të ndryshëm kanë bërë që koncepti i “besës politike” të shihet shpesh si një instrument i përdorur sipas rrethanave dhe interesave të momentit.
Edi Rama e ka përdorur konceptin e besës përmes një këndvështrimi më modern, duke e lidhur me ide si “pakti qytetar”, “kontrata sociale” apo “modernizimi i shtetit”.
Besa e shpallur ndaj elektoratit apo aleatëve është përshtatur shpesh me zhvillimet politike dhe nevojat e pushtetit.
Në këtë këndvështrim kritik, fjala e dhënë politike shihet jo gjithmonë si një parim i pandryshueshëm, por si pjesë e një komunikimi politik që ndryshon sipas rrethanave.



