Bernard Arnault mohon akuzat për punësimin e personave mbipeshë/ Pretendimet për LVMH janë të pavërteta

Bernard Arnault mohon akuzat për punësimin e personave mbipeshë/

Njeriu më i pasur i Evropës, Bernard Arnault, ka reaguar ndaj pretendimeve se zyra e tij në kompaninë LVMH nuk punëson persona mbipeshë, duke i cilësuar këto akuza si të pabazuara.

Deklaratat erdhën pas një serie shkrimesh nga gazeta franceze “Le Monde”, ku gazetarët pretenduan se në selinë qendrore të LVMH në Paris dominonte një kulturë ku punonjëset ishin kryesisht “të reja, të bukura dhe të holla”.

Në një letër prej tre faqesh të publikuar në rrjetin social X të LVMH, Arnault reagoi me ironi ndaj raportimit, duke thënë: “U kërkoj ndjesë lexuesve për këtë dështim të diversitetit trupor dhe do ta ngre çështjen në mensën e kompanisë”.

Miliarderi 77-vjeçar, themeluesi i perandorisë së luksit LVMH, hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për konflikte brenda familjes së tij dhe rivalitete mes pesë fëmijëve që kanë role drejtuese në kompani.

Arnault e përshkroi familjen e tij si “të bashkuar” dhe kritikoi mënyrën se si gazetarët, sipas tij, e kishin paraqitur familjen me “pesë personalitete të forta” si një histori intrigash.

LVMH, kompania më e madhe franceze për nga kapitalizimi në treg, zotëron marka të njohura globale si Louis Vuitton, Christian Dior, Tiffany, Bulgari dhe Moët Hennessy.

Pavarësisht kritikave ndaj artikullit, Arnault tha se nuk do të heqë dorë nga abonimi në “Le Monde”, duke shtuar me ironi se “fjalëkryqi i gazetës mbetet i shkëlqyer”.

 

 

 

EMISIONET