Tensionet SHBA-Iran rriten sërish, sulme ajrore dhe raketore në disa shtete të Gjirit

Armëpushimi i brishtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit është vënë sërish në provë, pasi forcat amerikane kanë goditur dronë dhe sisteme radari iraniane, ndërsa Irani ka lëshuar raketa drejt bazave amerikane në rajonin e Gjirit, raportoi BBC.
Ushtria amerikane deklaroi se ka rrëzuar katër dronë iranianë “me një drejtim sulmi” që po i afroheshin Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se ato përbënin një “kërcënim të menjëhershëm për trafikun detar rajonal”.
Më pas, forcat amerikane goditën “sisteme radarësh të mbikëqyrjes bregdetare” në jug të Iranit, për të parandaluar sulme të tjera, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom).
Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa balistike drejt dy bazave ajrore amerikane, në Kuvajti dhe drejt objekteve të Marinës amerikane në Bahrein, raportoi agjencia iraniane IRIB.
“Centcom” tha se nga shtatë raketat e lëshuara, gjashtë u interceptuan dhe një nuk arriti objektivin.
Ngjarjet ndodhën disa ditë pas shkëmbimeve të tjera të sulmeve mes dy vendeve, që rrezikuan armëpushimin e vendosur që nga prilli.
Një person u vra dhe mbi 60 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me dronë iranianë, në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit të mërkurën, sipas autoriteteve lokale.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) mohuan përgjegjësinë, duke pretenduar se dëmet ishin shkaktuar nga një gabim i një interceptori amerikan.
“Centcom” i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe deklaroi se Irani kishte kryer një sulm të qëllimshëm, të llogaritur dhe të pajustifikuar.
Më herët, IRGC tha se kishte shënjestruar bazat amerikane në Gjirin Persik, si një hakmarrje për sulmet amerikane ndaj një tankeri iranian dhe ishullit Qeshm.
Pavarësisht përshkallëzimit, SHBA-ja ka miratuar viza për ekipin kombëtar të futbollit të Iranit për Kupën e Botës, që do të zhvillohet në Los Anxheles më 15 qershor — hera e parë që një vend pritës pranon ekipin e një shteti me të cilin është në konflikt.
Sulmet ndodhën ndërsa negociatat për armëpushim mes dy vendeve mbeten të bllokuara, me raportime se marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit nuk ka avancuar.
Në fillim të javës, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se SHBA-ja po ndryshon vazhdimisht qëndrimet dhe po paraqet kërkesa të reja ose kontradiktore.
Në zhvillimet e mëparshme, SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme të gjera ndaj Iranit më 28 shkurt, duke ndezur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Irani u përgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe duke ndikuar në mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.
Mbyllja e ngushticës shkaktoi rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës globalisht.
Menjëherë pas armëpushimit të arritur në fillim të prillit, SHBA-ja vendosi një bllokadë ndaj porteve iraniane, e cila sipas presidentit Donald Trump do të mbetet në fuqi, deri sa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje.


