KQZ: Mbi 3 mijë votues nga diaspora kanë shfrytëzuar të drejtën e votës

KQZ: Mbi 3 mijë votues nga diaspora kanë shfrytëzuar të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për qytetarët e regjistruar jashtë vendit, ndërsa deri në orën 09:00 kanë votuar 3,117 qytetarë apo 11.24% e 27,724 votuesve të regjistruar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën për media bëri të ditur se votimi ka filluar fillimisht në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërsa më pas edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike në Evropë.

“Sipas të dhënave, gjatë këtyre orëve të para të votimit në 25 nga 30 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 9:00, nga 27,724 votues të regjistruar kanë votuar 11.24% e tyre, apo 3,117 votues”, tha Elezi.

Ai theksoi se procesi i votimit po zhvillohet në ambasada dhe konsullata të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Mbretëri të Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Turqi, Kroaci, Holandë, Çeki, Hungari e SHBA.

Sipas Elezit, votimi në ambasadën e Kosovës në Uashington, konsullatën në Nju Jork, si dhe në ambasadën në Otava dhe konsullatën në Toronto, do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës së Kosovës.

Ai bëri të ditur se votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.

Po ashtu, Elezi sqaroi se vetëm votuesit e regjistruar paraprakisht për votim fizik në përfaqësitë diplomatike mund të votojnë gjatë ditës së sotme.

“Duhet ta sqarojmë që vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësitë diplomatike do të mund të votojnë sot, më datë 6 qershor, pasi në listën e votuesve e cila është dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve të Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhë së regjistrimit nga 6 maji deri më 17 maj. Në faqen e KQZ-së, platformën elektronike diaspora.kqz-rks.org, votuesit e regjistruar mund ta verifikojnë statusin e tyre dhe të shohin qendrën e tyre se ku mund të votojnë”, deklaroi Elezi.

Në konferencë, Elezi njoftoi edhe për përgatitjet e procesit zgjedhor brenda Kosovës. Ai tha se gjatë orëve të para të mëngjesit KQZ-ja ka shpërndarë materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat në qendrat komunale të numërimit.

“Njoftoj se gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore përfshirë fletëvotime dhe materiale të tjera të ndjeshme zgjedhore, siç janë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat. Këto materiale zgjedhore, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, janë dërguar në qendrat komunale të numërimit. Pra, ju e dini se në çdo komunë kemi nga një qendër të tillë dhe gjatë mëngjesit të ditës së diele do të shpërndahen për në qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 7:00 për të filluar procesin e votimit. Dorëzimi apo dërgimi i materialeve nga qendra e numërimit dhe rezultateve në qendrat komunale është bërë siç e thashë më herët nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe natyrisht se edhe ruajtja e këtyre materialeve në këto qendra do të bëhet nga zyrtarët policorë”, tha Elezi.

Ndërkaq, të dielën, më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit në procesin zgjedhor që do të zhvillohet në gjithë vendin. Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00.

/Kosovapress

EMISIONET