NE PERDITESIM/ Përplasje me armë në një lokal në Don Bosko, vdes banakierja, 5 të plagosur mes tyre një fëmijë
Ora 22:43 Atentati në Don Bosko, lokali i Fatjon Muratit rezulton i sekuestruar në tetor të 2022
Lokali drejt të cilit u qëllua mbrëmjen e sotme (12 mars 2022) në Don Bosko në pronësi të Fatjon Muratit, eksponent i njohur për policinë, rezulton të jetë i sekuestruar.
Prokuroria e Tiranës kërkoi sekuestrimin e katër pasurive dhe tri bizneseve me vlerë 5 mln euro, në pronësi të Fatjon Muratit, më 14 tetor 2022.
Ora 22:27 Atentati në Don Bosko, policia: U qëllua drejt lokalit, pika kontrolli në disa qytete
Në një njoftim zyrtar policia ka njoftuar se për ngjarjen është ngritur një grup i posacëm dhe janë ngritur pika kontrolli në Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Të shtënat me armë zjarri në një lokal në Don Bosko kanë lënë të vdekur banakieren e lokalit, të identifikuar si Mimoza Paja, 62 vjeçe dhe të plagosur 5 të tjerë, mes tyre dhe një vajzë 10 vjeçe.
Ora News ka siguruar emrat e të plagosurve që ndodhen në spitalin e Traumës.
Bëhet fjalë për: Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli.
Ora 22:01 PAMJE NGA LOKALI/ Përplasja me armë në Don Bosko, 4 nga të plagosurit në gjendje të rëndë
Ora News ka siguruar foto nga afër të lokalit ku ndodhi ngjarja.
Ora 21:49 Një e vdekur, pesë të plagosur/ Përplasja me armë në Don Bosko, në lokalin e Fatjon Muratit
Gazetari i Ora News Edison Vatnikaj bën me dije se lokali ku ka ndodhur ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, një eksponent dhe i arrestuar më parë si pjesë e një grupi kriminal.
Emri i Muratit ka dalë si i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës ku humbën jetën tre të rinj: Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj. Ai u arrestua më 8 tetor 2022 në makinë me Endrit Doklen, ish-anëtar i bandës së Durrësit.
Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko këtë mbrëmje në Tiranë.
Burime për Ora News bëjnë me dije se raportohet për 5 persona të plagosur, mes tyre dhe një fëmijë, ndërsa banakierja e identifikuar si Mimoza Paja ka mbetur e vdekur.
Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Traumës.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në pronësi të Fatjon Muratit, eksponent i një grupi kriminal ndërsa emri i tij ka dalë dhe në masakrën e Fushë-Krujës ku humbën jetën 3 persona, mes të cilëve edhe kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj.
Ngjarja është raportuar fillimisht nga klientë të lokalit e banorë të zonës.
Ende nuk dihen autorët e ngjarjes dhe as objektivi i atentatit.