6.7 TON K*KAINË DREJT BE-së/ GJKKO lëshon masat për "biznesmenët" trafikant, ja dënimet për 5 të arrestuarit
Pas operacionit të SPAK për goditjen e dy grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, Gjykata e Posaçme ka vijuar këtë të diel me vlerësimin e masave të sigurisë për disa nga të arrestuarit.
Në seancën gjyqësore, që nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për rreth dy orë për shkak të kërkesës së avokatëve për t’u njohur me aktet, u shqyrtuan masat për Orest Sotën, Orgest Birçajn, Dritan Agën, Edmond Jaupin dhe Gëzim Islamin.
Gjykata vendosi vijimin e masës “arrest në burg” për shtetasit Orest Sota, Orgest Birçaj dhe Dritan Aga, ndërsa për Etmond Jaupin, u la në fuqi masa “arrest në shtëpi”.
Për Gëzim Islamin u vendos lirimi me garanci pasurore prej 100 mijë eurosh për arsye shëndetësore.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të SPAK, përfshirë kreun Altin Dumani dhe prokuroren Elida Kaçkini, ndërsa procesi u zhvillua nën drejtimin e gjyqtares Flojera Davidhi.
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se dy organizata kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai kanë trafikuar mbi 6.7 ton kokainë nga Amerika Latine drejt porteve në Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera të BE-së. Droga dyshohet se fshihej në ngarkesa tregtare si qymyr, fruta dhe sojë.
Hetimet tregojnë se rrjeti shtrihej nga laboratorët në Ekuador dhe Kolumbi deri te magazinat e përpunimit në Evropë. Në dokumente përmendet edhe roli i disa personave që dyshohet se ndihmonin në logjistikë dhe rekrutim, përfshirë dërgimin e punëtorëve shqiptarë drejt Amerikës Latine.
SPAK ka lëshuar gjithsej 20 masa sigurie në kuadër të megaoperacionit të 12 qershorit. Mes të dyshuarve janë edhe persona të tjerë të arrestuar ose të shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, të ardhurat nga trafiku i drogës dyshohet se janë investuar në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe biznese të ndryshme. Janë sekuestruar vila, apartamente, automjete luksoze, kompani dhe qindra llogari bankare në disa qytete të Shqipërisë, ndërsa një transaksion i dyshuar në zonën e Zvërnecit vlerësohet në rreth 128 milionë euro.


