Ç’ndodh kështu me vendin tim

Ç’ndodh kështu me vendin tim

Ç’m’u kujtove, Faik Beu,
Beu ynë nga Konica!
Ti i pari bëre pyetjen:
Ku i gjeti politika?

Ku i gjeti politika
këta telendarët tanë,
që me marrëzitë e tyre
po çudisin gjithë dynjanë?

– Çfarë të them unë, i shkreti?
Ç’pata për të thënë, e thashë.
Fjalën time, fjalë poeti,
nëpër libra jua lashë.

Jua lashë, po kujt ia thashë?
Një i gjatë, tjetri kokëtrashë,
si “Anadollak’ në mesallë”,
kuvendarë që bëjnë pallë!

Tunden, shkunden e përkunden,
flasin, po nuk dinë se ç’flasin;
mjerë, o popull, kë ke zgjedhur,
kuvendarë që pëllasin!

Flet e flet e s’ka të sosur
i pari i qeverisë,
përlyer e nakatosur
në dyert e drejtësisë!

Një pas një në burg i vanë
ata që vetë i ka zgjedhur;
pas shpine dardhat ia hanë,
zullumqarë e bishtpërdredhur!

Ndërsa zoti President,
që e ka emrin Bajram,
edhe kur i flasin shqip,
me shqiptarët kufje mban!

Ndaj, ç’të them për ditëzinë?
Më vjen keq për atë vend;
hall i madh për Shqipërinë:

kë i vunë President!

Hall i madh, sa s’ka më tjetër
– ç’ndodh kështu me vendin tim?
Mykur, opozitë e vjetër,
endet rrugëve pa shpëtim!

Ndaj, ç’më pyet, pse më lodh?
Lermë të prehem në trishtim.
– Shqipërisë ia bëtë nënën,
njëqind vjet që s’gjen shërim!

EMISIONET