Seth Rogen mbyll derën përfundimisht: Nuk do të punoj më me James Franco!

Aktori dhe producenti Seth Rogen ka konfirmuar se nuk ka asnjë plan për të rikthyer marrëdhënien personale apo profesionale me ish-mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të kahershëm, James Franco.
Në një intervistë të fundit për The New York Times, Rogen u shpreh se nuk ka pasur kontakte me Franco prej vitesh dhe se nuk parashikon të punojë më me të në të ardhmen.
“Është një çështje shumë personale për mua dhe nuk dua të hyj në detaje. Ka një anë publike të historisë dhe qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Nuk kemi punuar bashkë prej shumë kohësh”, deklaroi ai.
Aktori 44-vjeçar refuzoi të japë më shumë komente mbi ndryshimin e marrëdhënies së tyre, por theksoi se situata mbetet e pandryshuar që nga deklaratat e mëparshme.
Nga ana tjetër, Franco kishte pranuar në një intervistë të vitit 2024 se miqësia mes tyre kishte marrë fund. Ai kishte shprehur keqardhje për distancimin, duke theksuar se kishte bërë përpjekje për të ruajtur raportin me Rogen.
Dyshja u bë e famshme në Hollywood për bashkëpunimet e suksesshme në projekte si Freaks and Geeks, Pineapple Express dhe The Disaster Artist, duke krijuar një nga partneritetet më të njohura të industrisë së filmit.
Marrëdhënia mes tyre u ftoh pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale ndaj Franco-s, të cilat dolën në publik në vitin 2018. Më vonë, në vitin 2019, dy ish-studente të aktorit ngritën padi civile ndaj tij. Çështja u mbyll në vitin 2021 me një marrëveshje jashtë gjykatës.
Edhe më herët, Rogen kishte lënë të kuptohej se akuzat kishin ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij për t’u distancuar nga Franco.
“Urrej çdo formë abuzimi dhe ngacmimi. Nuk do të mbuloja apo fshihja kurrë veprimet e dikujt që sillet në atë mënyrë. Kjo ka ndryshuar shumë gjëra në marrëdhënien tonë”, ishte shprehur ai.
Deklaratat e fundit duket se konfirmojnë përfundimisht se një nga miqësitë më të njohura të Hollywood-it i përket tashmë së kaluarës.

