Një e vdekur, pesë të plagosur/ Përplasja me armë në Don Bosko, në lokalin e Fatjon Muratit
Një grua ka humbur jetën mbrëmjen e sotme (12 mars) pasi një përplasje me armë zjarri ka ndodhur në një lokal në zonën e Don Boskos.
Gazetari i Ora News Edison Vatnikaj bën me dije se lokali ku ka ndodhur ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, një eksponent dhe i arrestuar më parë si pjesë e një grupi kriminal.
Në vendngjarje ndodhet policia dhe Edmond Sulaj, drejtori i krimit.
Konkretisht më 21 mars 2018 Murati së bashku me katër persona të tjerë, mes të cilëve disa të arrestuar në Itali, janë denoncuar për se janë marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndaj Fatjon Muratajt, gjykata e Trevizos ka vendosur më 31 tetor 2015 masën për evezion, ndërkohë që një muaj më vonë ka nxjerrë urdhër arresti ndaj tij me akuzat e “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”.
Më 26 prill, Gjykata e Venecias ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pjesëmarrjes në krime”; dhe më 26 korrik 2017 në kuadër të procedimit penal të autoriteteve gjyqësore të Padovas, është raportuar për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”.
Murati u arrestua nga policia më 8 tetor 2022, si i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës ku humbën jetën tre të rinj: Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.