Gërvalla-Schwarz hap javën " Ndihmë Juridike Falas" : Qasje e barabartë në drejtësi për të gjithë!

Gërvalla-Schwarz hap javën " Ndihmë Juridike Falas" :

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, do të marrë pjesë sot në ceremoninë zyrtare të hapjes së Javës për Ndihmë Juridike Falas, një aktivitet i dedikuar promovimit të qasjes së barabartë në sistemin e drejtësisë dhe fuqizimit të të drejtave të qytetarëve.

Ky aktivitet shënohet përmes një konference tematike me titull: “Të bashkuar për qasje në drejtësi për të gjithë”, e cila synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike falas, veçanërisht për qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike për përfaqësim ligjor.

Sipas organizatorëve, "Java për Ndihmë Juridike Falas" ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin institucional dhe publik mbi të drejtat ligjore të qytetarëve, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile në funksion të përmirësimit të qasjes në drejtësi.

Në konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ekspertë të fushës së drejtësisë, si dhe organizata joqeveritare që punojnë në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Gjatë diskutimeve pritet të theksohet rëndësia e rritjes së kapaciteteve të sistemit të ndihmës juridike falas, si dhe nevoja për zgjerimin e shërbimeve për grupet e cenueshme të shoqërisë, përfshirë qytetarët me të ardhura të ulëta, viktimat e dhunës dhe personat në situata të vështira sociale.

Java për Ndihmë Juridike Falas konsiderohet një nga iniciativat që synon të afrojë më shumë qytetarët me institucionet e drejtësisë, duke promovuar transparencën, barazinë para ligjit dhe aksesin e plotë në shërbime juridike.

EMISIONET