“RRUGËT E TURISTËVE” NË MONITORIM/ Policia rrugore gjatë sezonit veror, monitorim 24 orë në akset me fluks të lartë
Policia Rrugore ka shtuar praninë në akset me fluks të lartë qarkullimi, ndërsa po përdoren radarë, kamera inteligjente dhe pajisje të tjera monitorimi për evidentimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore, si pjesë e masave që do të jenë në fuqi gjatë sezonit turistik.
Shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore, Ledian Kerka, në një intervistë për Ora News, thotë se akset drejt zonave turistike, ku qarkullimi shtohet ndjeshëm, do të kenë vëmendje të veçantë.
Falë monitorimit dhe patrullave të gatshme synohet reagimi i shpejtë ndaj bllokimeve apo incidenteve të mundshme rrugore.
Shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, nga tejkalimi i shpejtësisë deri te përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, nuk do të tolerohen.
Kerka thekson se siguria rrugore mbetet një përgjegjësi e përbashkët, ku bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve luajnë rol kyç në parandalimin e aksidenteve.


