SEMINARI I PPE NË DURRËS/ Berisha: Shqipëria po rrëshqet drejt narkoshtetit, integrimi në BE duhet të bëhet sipas meritave

SEMINARI I PPE NË DURRËS/ Berisha: Shqipëria po rrëshqet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në seminarin vjetor të Bashkëpunimit dhe Planifikimit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane “Wilfried Martens”, think tank i Partisë Popullore Europiane.

Takimi i këtij viti u mbajt në Durrës dhe mblodhi përfaqësues të PPE-së, ekspertë dhe drejtues të fondacioneve partnere nga disa vende europiane. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri i Sllovakisë dhe presidenti i “Martens Centre”, Mikuláš Dzurinda.

Gjatë diskutimeve, Berisha paraqiti një panoramë të situatës politike dhe institucionale në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për funksionimin e shtetit dhe zhvillimet aktuale në vend.

Në takime dhe tryeza diskutimi, ai vlerësoi bashkëpunimin e Partisë Demokratike me partnerë ndërkombëtarë dhe fondacione të ndryshme europiane dhe amerikane, duke e cilësuar këtë mbështetje të rëndësishme për proceset e brendshme të partisë dhe për forcimin e saj si alternativë politike.

Berisha foli edhe për aktivitetin e opozitës në muajt e fundit, përfshirë protestat dhe nismat parlamentare, të cilat sipas tij kanë pasur synim denoncimin e disa çështjeve të rëndësishme në vend, përfshirë skandale që lidhen me administratën publike dhe proceset zgjedhore.

Ai ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të institucioneve, përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe ndikimin e krimit të organizuar në politikë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe hetime të pavarura për proceset zgjedhore në Shqipëri.

Në fokus të diskutimeve të tij ishte edhe procesi i integrimit europian, ku u shpreh se duhet të bazohet në standarde dhe reforma konkrete, duke kundërshtuar çdo zbutje të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Berisha përmendi gjithashtu edhe çështje të lidhura me fonde publike, skandale të pretenduara dhe zhvillime në projekte europiane në Shqipëri, për të cilat kërkoi vëmendje dhe hetim institucional në nivele ndërkombëtare.

Takimi u zhvillua në hotel “Melia” në Durrës dhe bëri bashkë përfaqësues të politikës dhe institucioneve partnere të Partisë Popullore Europiane.

EMISIONET