NAMI NË "EAGLE STADIUM"/ Fansat e Kanye West 'sfidojnë' vapën, mblidhen dy orë para nisjes së koncertit

Tirana është bërë sonte qendra e vëmendjes për adhuruesit e muzikës hip-hop, pasi këngëtari i njohur amerikan Kanye West do të ngjitet në skenë në orën 20:00 në Eagle Stadium.
Qindra fansa kanë nisur të mblidhen pranë stadiumit, ndërsa shumë prej tyre kanë udhëtuar nga jashtë Shqipërisë vetëm për të ndjekur performancën e reperit amerikan.
Disa prej të pranishmëve treguan për emocionet para koncertit dhe pritshmëritë për mbrëmjen muzikore. Një pjesë e madhe e tyre janë vizitorë nga vende të ndryshme të rajonit.
“Vijmë nga Greqia, është hera e parë këtu. Nga koncerti presim më të mirën”, u shpreh një prej fansave.
Një tjetër pjesëmarrës nga Greqia tregoi emocionet për vizitën në Shqipëri: “Është hera e parë këtu. E dua Shqipërinë”.
Në mesin e fansave kishte edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Një vajzë tregoi se kishte ardhur nga Tepelena, por jeton në Irlandë dhe kishte zgjedhur të ishte pjesë e koncertit për të përjetuar atmosferën.
“Presim një atmosferë të mirë nga koncerti”, tha ajo.
Grupet e të rinjve nga Greqia u shprehën gjithashtu të emocionuar për vizitën në Shqipëri dhe për mbrëmjen muzikore.
Eagle Stadium ndodhet në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Për të lehtësuar lëvizjen e fansave, drejt stadiumit janë vendosur autobusë të dedikuar që nisen nga qendra e Tiranës çdo 20 minuta.


