Klopp drejt stolit të Gjermanisë, drejtuesit e DFB udhëtojnë në Nju Jork për marrëveshjen finale

Klopp drejt stolit të Gjermanisë, drejtuesit e DFB udhëtojnë

Jürgen Klopp është shumë pranë marrjes së drejtimit të kombëtares gjermane. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka hyrë në fazën finale të bisedimeve me trajnerin dhe drejtuesit më të lartë kanë udhëtuar drejt Nju Jorkut për të mbyllur detajet e marrëveshjes.

Presidenti i DFB-së, Bernd Nojendorf, dhe drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Hans Joakim Vatzke, pritet të zhvillojnë një takim me Klopp gjatë fundjavës. Në ditët në vijim në SHBA do të bashkohet edhe drejtuesi i Red Bull, Oliver Mintzlaf, për të finalizuar akordin.

Klopp ndodhet në Nju Jork për angazhimin e tij si analist për MagentaTV dhe pas rikthimit në Gjermani pritet të firmosë kontratën katërvjeçare me federatën. Marrëveshja mes DFB-së dhe Red Bull parashikon që federata të mos paguajë dëmshpërblim për trajnerin, i cili ka kontratë me kompaninë deri në vitin 2029 dhe do të vazhdojë të jetë ambasador i saj.

Pavarësisht kritikave nga një pjesë e tifozëve, të cilët e shohin këtë bashkëpunim si afrim të tepërt me interesat komerciale, DFB e ka përcaktuar Kloppin si zgjedhjen kryesore për të udhëhequr kombëtaren.

Për federatën gjermane, marrëveshja me Kloppin sjell edhe një lehtësim financiar, pasi buxheti është ndikuar nga kostot e largimit të Julian Nagelsmann dhe pasojat ekonomike të eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës.

Pas firmës, Klopp do të ketë pak kohë për përgatitjet e para. Debutimi i tij në stolin e Gjermanisë pritet të jetë më 24 shtator në transfertën ndaj Holandës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Gjermania ndodhet në grup me Holandën, Greqinë dhe Serbinë, ndërsa sfida e parë e madhe për Kloppin do të jenë kualifikueset e Euro 2028, të cilat nisin në mars të vitit 2027.

EMISIONET