Vodhi makinën për të kryer grabitjet/ Hajduti shqiptar "bie në duart" e policisë greke, ja çfarë e 'tradhtoi' 44-vjeçarin

Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se është përfshirë në disa grabitje në zonat e Evias veriore dhe Ftiotidës. Identifikimi i tij u bë i mundur pas gjurmimit të një tableti të vjedhur.
Sipas mediave greke, shqiptari, banues në zonën e Istiaias, dyshohet se kishte vjedhur fillimisht një automjet nga oborri i një banese në Edipsos.
Me makinën e marrë, ai udhëtoi drejt Ftiotidës, ku dyshohet se vijoi aktivitetin kriminal.
Një ditë më pas, 44-vjeçari dyshohet se hyri me forcë në banesën e një mësueseje në Nea Anhialos, nga ku mori bizhuteri, orë, një laptop, një tablet dhe sende të tjera me vlerë.
Rasti u zbulua pasi pronarja e banesës përdori aplikacionin e lokalizimit për të ndjekur vendndodhjen e tabletit të vjedhur. Ajo njoftoi policinë, e cila u drejtua në zonën e Glyfës në Ftiotidë.
Gjatë kontrollit të automjetit të 44-vjeçarit, efektivët gjetën tabletin dhe sende të tjera që dyshohet se ishin marrë gjatë grabitjes. Hetimet zbuluan gjithashtu se edhe makina me të cilën lëvizte ishte e vjedhur.
Policia greke vijon hetimet për të zbardhur nëse shqiptari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.


