Zoti Kryeministër, ky është momenti për të dëgjuar, jo për të ironizuar

Në jetën e çdo demokracie paraqitet një moment kur problemi nuk është vetëm vendimi që merr qeveria, por mënyra se si ajo zgjedh t’u përgjigjet qytetarëve.
Ky është pikërisht momenti që po jetojmë sot.
Prej javësh, qindra dhe mijëra prej nesh gjendemi të mbledhur çdo mbrëmje në të njëjtin bulevard. Nuk kemi dalë për të dëgjuar metafora, etiketime apo batuta. Kemi dalë me një kërkesë elementare që çdo qeveri demokratike ka detyrimin ta respektojë: të japë shpjegime, të japë llogari dhe të komunikojë me transparencë për vendimet që kanë ngritur shqetësim publik.
Por në vend të përgjigjeve, po shohim përpjekje për të ndryshuar vetë objektin e debatit.
Në vend që të diskutohen faktet, diskutohen protestuesit.
Në vend që të trajtohen shqetësimet, etiketohen qytetarët.
Në vend që të ndërtohet besim, prodhohet spektakël.
Kjo nuk është thjesht një zgjedhje komunikimi, por mënyra sesi kuptohet marrëdhënia mes pushtetit dhe qytetarit.
Kushdo prej jush që më njeh, e di se nuk shkruaj kurrë nga urrejtja. Kam shkruar gjithmonë nga shqetësimi.
Këto ditë po ndiej diçka që nuk e kam ndier prej kohësh.
Ndiej se qeveria po flet pa pushim, por nuk po komunikon.
Po prodhon fjalë, por jo përgjigje.
Kur qeveritarët na mbushin me fjalë të zbrazëta nga përgjegjësia, distanca mes qeverisë dhe qytetarëve vetëm rritet. Dhe kjo është ajo që po përjetojmë sot.
Prej javësh jemi në të njëjtin bulevard. Çdo mbrëmje.
Me të njëjtat pyetje. Me të njëjtin shqetësim. Me të njëjtën kërkesë të thjeshtë:
Qeveria të japë përgjigje.
Në vend që t’u përgjigjet pyetjeve tona, ajo ka zgjedhur të flasë për ata që pyesin.
Dhe ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm.
Sepse kur ne, qytetarët që jemi në shesh, pyesim për vendime, për përgjegjësi, për transparencë dhe për interesin publik, përgjigjja nuk mund të jetë një metaforë. Nuk mund të jetë një batutë dhe as etiketime.
Asnjëra prej tyre nuk qetëson shqetësimet tona. Përkundrazi, i thellon ato.
Kemi dëgjuar shumë fjalë për protestuesit. Kemi dëgjuar për “flamingo”, “ujqër”, “hijena”, “algoritme”.
Por kemi dëgjuar shumë pak për arsyet që i sollën njerëzit në këtë bulevard.
Dhe pyetja mbetet e thjeshtë:
Pse?
Pse Kryeministri i një vendi demokratik zgjedh të analizojë qytetarët që protestojnë, në vend që të analizojë shkaqet që i nxorën ata në rrugë?
Pse energjia e një qeverie shpenzohet për të shpjeguar pse qytetarët nuk duhet të shqetësohen, në vend që t’u japë atyre siguri përmes fakteve?
Një pushtet që beson në forcën e argumentit nuk duhet të ketë frikë nga pyetjet. Ai u përgjigjet atyre.
Një pushtet që beson te qytetarët nuk i përqesh ata. I dëgjon.
Dhe kjo është ajo që dhemb më shumë, pasi kjo gjuhë nuk vjen nga një komentues i zakonshëm.
Vjen nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Nga njeriu që duhet të jetë simbol i qetësisë institucionale, maturisë dhe përgjegjësisë.
Një Kryeministër nuk përfaqëson vetëm ata që e kanë votuar.
Ai përfaqëson edhe ata që nuk e kanë votuar.
Edhe ata që e kritikojnë.
Edhe ata që dalin në shesh sepse besojnë se diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë.
