Zbulohet parcela me k*nabis në Kukës, në kërkim babë e bir

Zbulohet parcela me k*nabis në Kukës, në kërkim babë e

Policia e Kukësit ka finalizuar operacionin e koduar “Zabeli”, në kuadër të goditjes së kultivimit të bimëve narkotike, duke zbuluar një parcelë me 215 bimë kanabisi dhe sekuestruar rreth 3 kilogramë lëndë narkotike.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua në njësinë administrative Kalis, në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur “Zabeli i Madh”, ku u konstatuan të kultivuara 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë të kultivimit janë shtetasit F. R., 63 vjeç, dhe djali i tij M. R., 29 vjeç, banues në fshatin Gështenjë. Të dy janë shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 63-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Në lidhje me këtë rast, u procedua penalisht në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, V. R., 52 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po ashtu, është proceduar penalisht edhe kryetari i fshatit Gështenjë, S. R., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

EMISIONET