“Një turist luksi sjell më shumë se 100 turistë të zakonshëm”/ Rama në Jalë: Resortet e luksit do të sjellin paga më të larta
Kryeministri Edi Rama ka folur për projektet e reja turistike në bregdet gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë, duke mbrojtur modelin e turizmit të nivelit të lartë.
Sipas tij, investimet në resortet luksoze nuk janë vetëm për turistët, por mund të krijojnë mundësi të reja për ekonominë vendase, punësimin dhe prodhuesit shqiptarë.
Rama u ndal te ndikimi që këto struktura mund të kenë në tregun e punës, pagat dhe zhvillimin e zonave përreth, duke sjellë si shembull modele ndërkombëtare të transformimit ekonomik.
Gjatë takimit në Jalë, Rama kundërshtoi idenë se resortet luksoze u shërbejnë vetëm vizitorëve të huaj. Sipas tij, turistët me fuqi të lartë shpenzuese sjellin më shumë të ardhura në ekonominë vendase dhe krijojnë kërkesë për punonjës e produkte lokale.
“Një nga ata sjell në ekonominë tonë shumë më tepër se sa sjellin 100 që janë të nivelit më të ulët”, u shpreh Rama gjatë bashkëbisedimit.
Kryeministri u ndal edhe te pagat në sektorin e turizmit, duke thënë se në zonat bregdetare ato kanë arritur nivele të krahasueshme me vendet fqinje si Greqia dhe se objektivi është afrimi me standardet e Gjermanisë.
Ai përmendi edhe mundësinë e punësimit të punëtorëve të huaj, nëse qytetarët shqiptarë nuk zgjedhin të punojnë në këto struktura.
Sipas Ramës, resortet e reja do të ndikojnë edhe te fermerët dhe peshkatarët, pasi do të krijojnë një treg të qëndrueshëm për produktet vendase.
“Një resort është një fabrikë përpunimi për produktet e gjithë zonës”, tha Rama, duke sjellë si shembull ndikimin që kanë strukturat turistike në ekonominë përreth.
Ai përmendi se një euro e shpenzuar brenda një resorti luksi mund të sjellë deri në dy euro të tjera në ekonominë jashtë tij.
Në pjesën tjetër të fjalës së tij, Rama foli edhe për arkitekturën dhe projektet e reja të ndërtimit në Shqipëri.
Ai kundërshtoi ndërtimet pa standarde dhe kërkoi që projektet e reja të kenë një nivel më të lartë estetik dhe arkitektonik.
Kryeministri solli si shembull qytetin spanjoll të Bilbaos dhe ndikimin që pati muzeu i projektuar nga arkitekti Frank Gehry në transformimin ekonomik dhe turistik të qytetit.
Sipas tij, edhe Shqipëria mund të përfitojë nga projekte që sjellin një identitet të ri urban dhe e bëjnë vendin më tërheqës për vizitorët ndërkombëtarë.


