Tragjedi në Kolonjë/ 36-vjeçari humb jetën gjatë transportimit të druve

Një 36-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme në Kolonjë të Korçës, pas një incidenti të rëndë gjatë punës për transportimin e druve.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e fshatit Kurtesh, ku viktima kishte shkuar për të ngarkuar dru pranë një subjekti privat të licencuar për prodhimin e drurit.
Sipas informacioneve paraprake, 36-vjeçari, banues në Pogradec, punonte në subjektin privat që merrej me përpunimin dhe prodhimin e drurit në Kolonjë.
Gjatë procesit të ngarkimit, një dru është shkëputur dhe ka rënë mbi të, duke e lënë të bllokuar. Pavarësisht ndërhyrjeve, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Grupi hetimor ka nisur veprimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit dhe për të sqaruar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë gjatë punës.


