Temperatura "sfidon" sërish Anglinë në Botëror/ Nxehtësia ekstreme k*rcënon çerekfinalen me Norvegjinë

Moti rikthehet si një faktor shqetësues për Anglinë në Botëror. Pas problemeve me stuhitë në ndeshjen ndaj Meksikës, kushtet atmosferike pritet të ndikojnë edhe në çerekfinalen kundër Norvegjisë.
Sfida e mbrëmjes në “Hard Rock Stadium” në Miami pritet të zhvillohet nën temperatura të larta, me lojtarët e të dyja skuadrave që do të përballen me një tjetër sfidë përveç kundërshtarit në fushë.
Fillimisht, parashikimet për ditën e ndeshjes paralajmëruan mundësi për stuhi dhe vetëtima në zonën e stadiumit. Sipas rregullores së sigurisë, shkarkimet elektrike brenda një rrezeje prej 8 miljesh nga stadiumi do të detyronin ndërprerjen e aktivitetit dhe largimin e tifozëve nga zona.
Megjithatë, rreziku i stuhive duket se është shmangur dhe kushtet pritet të jenë më të qeta në momentin kur Anglia dhe Norvegjia do të zbresin në fushë.
Problemi kryesor mbetet i nxehti. Temperaturat pritet të arrijnë rreth 33 gradë Celsius, ndërsa ndjesia termike mund të shkojë deri në 44 gradë për shkak të lagështisë së lartë, që parashikohet rreth 59%.
Këto kushte mund të ndikojnë në ritmin e lojës dhe në lodhjen fizike të futbollistëve, duke e bërë menaxhimin e energjive një element të rëndësishëm gjatë 90 minutave.
Anglia përballet me një Norvegji të fortë, me të dyja skuadrat që kërkojnë një vend në gjysmëfinalet e Botërorit. Në këtë përballje, përveç taktikës dhe cilësisë së lojtarëve, edhe rezistenca fizike mund të luajë një rol vendimtar.


