VIDEO/ Kongresmeni amerikan Ro Khanna akuzon kolonët izraelitë dhe ushtrinë për ndalimin në Bregun Perëndimor

VIDEO/ Kongresmeni amerikan Ro Khanna akuzon kolonët izraelitë dhe

Një vizitë e kongresmenit amerikan Ro Khanna në Bregun Perëndimor ka përfunduar me akuza ndaj kolonëve izraelitë dhe ushtrisë së Izraelit. Demokrati nga Kalifornia pretendon se ai dhe delegacioni që e shoqëronte u ndaluan në mënyrë të paligjshme gjatë një vizite në një zonë të tensionuar.

Sipas Khannës, incidenti ndodhi të mërkurën në jug të Bregut Perëndimor, gjatë një vizite në një fshat ku, sipas tij, kishte pasur përplasje mes kolonëve izraelitë dhe komuniteteve palestineze.

Kongresmeni tha se grupi i tij po inspektonte zonën kur në vendngjarje mbërritën persona të armatosur, të cilët bllokuan rrugën dhe më pas kërkuan ndërhyrjen e ushtrisë izraelite.

Khanna pretendoi se edhe pas mbërritjes së forcave ushtarake, delegacioni vijoi të mbahej i ndaluar. Në një reagim në platformën X, ai e cilësoi situatën si një “gabim të madh” dhe kërkoi sqarime për mënyrën e trajtimit të delegacionit amerikan.

Edhe Cameron Kasky, pjesë e grupit që shoqëronte kongresmenin, tha se delegacioni mbeti i bllokuar për më shumë se një orë dhe u detyrua të kontaktonte Ambasadën e SHBA-së në Jerusalem për ndihmë.

Sipas tij, situata u zgjidh pas ndërhyrjes së policisë izraelite, e cila lejoi largimin e delegacionit nga zona.

Deri tani, autoritetet izraelite nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj akuzave të ngritura nga kongresmeni amerikan.

EMISIONET