Sulmi ndaj gazetarit Ilir Demalia/ Policia arreston 1 prej autorëve dhe kërkon bashkëpunëtorin (EMRI)

Një nga personat e dyshuar për dhunën ndaj gazetarit Ilir Demalia është arrestuar nga Policia, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, sapo gazetari kishte dalë nga banesa e tij, ku u sulmua fizikisht nga dy persona.
Sipas Policisë, në pranga ka rënë shtetasi Roland Sula, ndërsa bashkëpunëtori i tij vijon të jetë në kërkim.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta dhe jo për arsye politike.
Sipas dëshmisë së gazetarit, konflikti lidhet me një banor të zonës, i cili e kishte akuzuar se kishte njoftuar policinë për parkim të parregullt të automjeteve në rrugë.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar menjëherë pas njoftimit dhe ka sekuestruar automjetin e përdorur gjatë ngjarjes. Hetimet po vijojnë për kapjen e personit tjetër të përfshirë në sulm.


