Bota dhe rajoni: sot dhe nesër

Sistemi uni-shumëpolar dhe i fragmentuar ku ndodhet bota sot që ndonëse fuqi globale apo fuqi të mesme kanë krijuar sferat e tyre të influencës dhe konkurrojnë parreshtur për shtrirje, ndikim, akses në mineralet e rralla, kontroll të sektorëve strategjikë si rrugët e transportit etj, ka ende SHBA-në si vendi me më tepër ndikim global krahasimisht për shkak të kombinimit unik të fuqisë së ashpër me atë të butë.
Por pavarësisht kësaj, rendi i bazuar në rregulla po dobësohet pikërisht në një kohë kur sfidat më të mëdha (klima, inteligjenca artificiale, pandemitë, qëndrueshmëria financiare) janë ndërkufitare dhe kërkojnë bashkëpunim që sistemi e prodhon gjithnjë e më me vështirësi.
Përkundrazi, menaxhimi i kontrolluar i krizave, konkurrenca që rivalizon me nevojën për të krijuar një strukturë që garanton deri diku stabilitet, transaksionalizmi i pastër mbi aleancat historike të vlerave të përbashkëta apo aftësia e shteteve të caktuara si Irani që potencialisht të kthejnë pozicione gjeografike si ngushticën e Hormuzit si armë gjeopolitike duke kthyer edhe humbjet në fushëbetejë në kapital politik në negociatat e vështira për një paqe të negociuar dhe të ndërmjetësuar me SHBA-të, të gjitha ndikojnë në farkëtimin e një rendi të ri por ende të paqartë. Kjo periudhë e ndërmjetme anarkike, natyrisht është akoma më përcaktuese për fatin e vendeve të vogla të cilat kanë pak zë apo mundësi të ndryshojnë apo impaktojnë zhvillimet globale apo rajonale.
Ndër sfidat kryesore aktuale, mund të përmendim rikonfigurimin e pushtetit global, ku rivaliteti strategjik SHBA–Kinë përbën boshtin qëndror, por edhe ngritja e fuqive të mesme (India, Vendet e Gjirit, Turqia) dhe afirmimi i një “Jugu Global” që refuzon të rreshtohet plotësisht janë akse të rëndësishme të tij. Vatrat e konfliktit të tilla si lufta në Ukrainë dhe e ardhmja e arkitekturës evropiane të sigurisë, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme me epiqendrën e përplasjes mbi Hormuzin dhe aftësitë e Iranit për të prodhuar armë bërthamore, por edhe Tajvani potencialisht si pika më e rrezikshme e një përplasjeje të mundshme mes fuqive të mëdha, përbëjnë dhe kërcënimet kryesore të sigurisë globale sot.
Nga ana tjetër kemi revolucionin teknologjik, sidomos inteligjencën artificiale, përshpejtimi i së cilës po sjell shterrim të shpejtë të rezervave natyrore, nga uji dhe energjia te materialet e rralla por nga ana tjetër është duke sjellë trazira ekonomike, përdorime ushtarake, përqendrim pushteti dhe një boshllëk qeverisjeje që rregullatorët nuk po e mbushin dot. Bashkëlidhur deri diku janë edhe faktorët si energjia dhe burimet por të ndërlidhur me ndryshimet klimaterike, gjë që bën që të rriten rreziqet fizike paralelisht me një garë industriale për teknologjitë e gjelbra dhe për mineralet kritike, ku tranzicioni bëhet vetë fushë konkurrence. Këto faktorë janë të ndërlidhur me fragmentarizimin gjithnjë e më të madh ekonomik ku riatdhesimi i zinxhirëve të furnizimit, luftërat tarifore, “armatosja” e ndërvarësisë ekonomike, borxhi i lartë i vendeve në zhvillim dhe rikthimi i politikave industriale janë duke ndikuar në një konkurrencë asimetrike dhe jo të shëndetshme mes shteteve, ku natyrisht një pjesë kanë për të vuajtur kostot më shumë se të tjerat.
Të gjitha këto reflektohen në brishtësinë e brendshme të shoqërive të manifestuara në plagë të tilla sociale si polarizimi, dezinformimi, erozioni i besimit te institucionet, plus presionet demografike të tilla si plakja e shpejtë e popullsisë në Perëndim e Kinë (por edhe në vende si Shqipëria që vetëm tre dekada më parë kishim nër popullsitë më të reja në Evropë, presionet migratore mbi vende si ky i yni që ka fluksin e katërt në botë sipas OKB-së të ikjes së të rinjve në raport përqindje me popullsinë deri në 2050-ën etj. Këto faktorë nuk veprojnë veçmas. Përkundrazi ato ndërthuren në një krizë të shumëfishtë ku një goditje në një fushë përhapet shpejt te të tjerat.
Në të ardhmen e afërt sipas parashikimeve që disa i quajnë pesimiste, të tjerë realiste, mund të kemi një “Luftë të Ftohtë” të re me shkëputje teknologjike, konflikte me përfaqësues dhe tension i menaxhuar por i vazhdueshëm. Por në një skenar më optimist mund të kemi një konkurrencë të menaxhuar pa luftë të madhe, me bashkëpunime ad hoc për disa çështje por edhe përplasje të vazhdueshme.
Ky mbetet skenari më i besueshëm. Nuk përjashtohet as pasja e një krize të madhe si për shembull Tajvani, Lindja e Mesme në një luftë të gjerë rajonale, një kolaps financiar apo një avancim i tillë i inteligjencës artificiale që shkakton një papunësi në shkallë të gjerë në nivel global, varfëri të madhe dhe si rezultat protesta të stuhishme që rikonfigurojnë rendin botëror papritur.
Por natyrisht mund të ketë dhe vullnete politike dhe bashkëpunime që ulin rrezikun e përshkallëzimeve të përshkruara më sipër apo të krizave sistemike. Të tilla mund të jenë kanalet e reja të komunikimit në kriza të përsëritura, linja të kuqe të qarta dhe kontakte ushtarake shpesh të ndërmjetësuara nga vende të treta, sic kemi parë në rastin e përplasjes SHBA-Iran që e ndajnë rivalitetin nga lufta siç ndodhi për shembull në rastin e Rusisë ndaj Ukrainës. Gjithashtu, do të ishte e këshillueshme një rigjallërim i institucioneve shumëpalëshe aty ku mundet, apo edhe forma të ashtuquajtura të minilateralizmit (përkundër multilateralizmit që sot është më i vështirë) për probleme specifike.
Ndarja e bashkëpunimit te sfidat e përbashkëta (klima, siguria e inteligjencës artificiale, parandalimi i pandemive) nga garat gjeopolitike, që njëra të mos pengojë tjetrën. Një faktor tjetër që shmang krizat me ndikim global do të ishte krijimi i zinxhirëve të furnizimit më të larmishëm, siguri energjetike e kibernetike, institucione demokratike më të forta në mënyrë që shoqëritë t’i përballojnë goditjet. Dhe, mbi të gjitha, diplomaci e qëndrueshme me dalje reale nga konfliktet dhe masa besimi.
Natyrisht në tërësi presionet strukturore e shtyjnë sistemin drejt fragmentimit, por rezultati nuk është i paracaktuar, ai varet shumë nga zgjedhjet e udhëheqësve. Për një vend si Shqipëria, kjo pasqyrohet drejtpërdrejt te dinamika e zgjerimit të BE-së dhe te Ballkani si terren ku këto konkurrenca të mëdha shfaqen në miniaturë. Mëhalla jonë e Ballkanit Perëndimor është terreni ku rivalitetet e mëdha që përshkrova shfaqen të kondensuara. Nga njëra anë BE-ja, Rusia, Kina dhe gjithnjë e më shumë një administratë amerikane me qasje transaksionale, të gjitha veprojnë mbi gjashtë vende të vogla me institucione të brishta.
Nga njëra anë, zgjerimi është rikthyer në qendër të agjendës evropiane. Samiti i 5 qershorit 2026 në Tivat mblodhi udhëheqësit kryesorë si von der Leyen, Macron, Merz në tubimin më të rëndësishëm për zgjerimin prej vitesh, dhe pak para tij, Franca dhe Gjermania lëshuan një “non-paper” të përbashkët që propozon një integrim gradual, pra një pjesëmarrje të strukturuar në politika e institucione të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Motivi është qartazi strategjik që është kufizimi i pranisë ruse në rajon përmes lidhjeve energjetike, rrjeteve politike në Beograd apo operacioneve të dezinformimit dhe i jep Brukselit nxitje më të fortë për t’i ankoruar këto vende, ndërsa investimet kineze përmes “Brez dhe Rrugë” shtojnë një shtresë tjetër konkurrence. Nga ana tjetër, brenda rajonit kriza politike janë thelluar.
Vendet e rajonit duket se janë të kapluara nga një paqëndrueshmëri e vazhdueshme që i bën reformat të brishta, institucionet të dobëta, kapjen e shtetit të mundur dhe korrupsionin një taksë të vazhdueshme që rrezikon mirëqënien e qytetarëve të këtyre vendeve që kërkojnë shpëtim ose përmes protestave, ose përmes emigrimit. Serbia është nyja qendrore dhe njëkohësisht më e paqëndrueshmja. Lëvizja studentore kundër korrupsionit, e nisur pas shembjes së strehës në Novi Sad në nëntor 2024, tashmë e ka mbajtur veten për mbi 18 muaj, dhe më 23 maj 2026 policia përdori gaz lotsjellës ndaj dhjetëra mijëra protestuesve që kërkonin zgjedhje të parakohshme.
Presionet e brendshme e detyruan së fundmi Vuçiqin të shpallë dorëheqjen brenda pak javësh. Por prestigjiozja Reuters paralajmëron që kjo ështe një lojë nga ana e tij dhe vet Vuçiq përmes listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar” synon që pasi të fitojë zgjedhjet e parakohshme të vërë një besnik të tijin si president dhe vet të rikthehet si kryeministër. Nga ana tjetër Serbia ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk u rreshtua me Deklaratën e samitit të dhjetorit 2025, çka do të thotë se po vazhdon politikën e saj dualiste. Gjithashtu dialogu Kosovë–Serbi mbetet i ngrirë. Nuk ka pasur progres kuptimplotë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim, dhe një raport i Parlamentit Evropian e quan 2025-n një “vit të humbur” për Kosovën, e zhytur në paralizë të plotë politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 që nuk prodhuan shumicë.
Në Bosnje-Herzegovinë situata është ndoshta më dëshpëruese se në cilindo vend të Ballkanit Perëndimor. Më 26 shkurt 2025 gjykata e Bosnjës dënoi ish-presidentin e Republika Srpska-s, Milorad Dodik, me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar nga politika për mospërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Aleati i tij Siniša Karan fitoi zgjedhjet presidenciale të 23 nëntorit 2025 me 50.3% në një pjesëmarrje të ulët prej 35%, dhe komentatorët sugjerojnë se Dodik do të vazhdojë t’i “tërheqë fijet” prapa skene.
Zgjedhjet e radhës presidenciale në pjesën serbe të Bosnjes janë planifikuar për tetor 2026 si pjesë e zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnjë dhe rezultati është vështirë të parashikohet.
Diçka që ia vlen të theksohet veçmas: administrata aktuale amerikane po e ndryshon ekuilibrin. Në një raport të ri, Serbia nuk paraqitet më si problem për t’u zgjidhur, por si partner, dhe administrata planifikon dialogë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë gjatë 2026-s. Kombinuar me heqjen e sanksioneve ndaj Dodik-ut, kjo do të thotë se aktorët që dikur ishin nën presion perëndimor tani ndihen më të lirë, gjë që e ndërlikon levën e BE-së.
Në të ardhmen e afërt, Mali i Zi dhe ndoshta Shqipëria ecin përpara drejt anëtarësimit, ndërsa Serbia, Bosnja dhe Kosova mbeten pas për shkak të bllokimeve të brendshme. Ky është skenari më i besueshëm.
Në rastin e Shqipërisë favorizuese ngelet gjeopolitika por bllokuese mungesa e vullnetit politik për reforma, protestat masive që kundërshtojnë autoritarizmin qeveritar dhe kapitalizmin klientelist si dhe institucionet e brishta dhe korrupsioni në rritje.



