Mali i Zi një hap drejt BE-së / Brukseli miraton paketë financiare prej 3.2 miliardë eurosh

Mali i Zi një hap drejt BE-së / Brukseli miraton paketë

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë financiare prej 3.2 miliardë eurosh për Malin e Zi, në një sinjal të fortë mbështetjeje për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në bllok, që synohet të realizohet në vitin 2028.

Komisioni Evropian bëri të ditur se fondet do të lehtësojnë kalimin e Malit të Zi nga statusi i vendit kandidat në atë të shtetit anëtar, duke garantuar vazhdimësinë e financimeve dhe integrimin e plotë në politikat dhe buxhetin e BE-së.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se paketa përfaqëson përmbushjen e angazhimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa Mali i Zi vijon reformat në rrugën e anëtarësimit.

Financimi do të mbështesë zhvillimin rajonal, bujqësinë, politikat sociale dhe çështjet e brendshme, me synimin për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike, rritur investimet dhe forcuar institucionet publike.

Paketa vjen pas progresit të fundit në negociatat e anëtarësimit. Në qershor, Mali i Zi mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë negociues, duke e çuar në 16 numrin e kapitujve të mbyllur. Autoritetet në Podgoricë synojnë të përfundojnë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhen shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

 

EMISIONET