Vala e të nxehtit në Gjermani / Mbi 800 viktima prej temperaturave te larta

Temperaturat e larta kanë shkaktuar tashmë mbi 800 vdekje në Gjermani këtë vit, edhe para kulmit të valës së të nxehtit. Shifrat janë publikuar nga Instituti Robert Koch (RKI), i cili paralajmëron se numri i viktimave pritet të rritet në javët në vijim.
Sipas vlerësimeve, deri më 21 qershor rreth 500 viktima ishin mbi 85 vjeç. Po ashtu, rreth 190 persona i përkisnin grupmoshës 75–84 vjeç, 80 ishin të moshës 65–74 vjeç, ndërsa rreth 40 viktima ishin nën 65 vjeç.
Raporti i RKI-së tregon se vdekshmëria rritet ndjeshëm gjatë javëve kur temperatura mesatare ditë-natë kalon 20 gradë Celsius. Gjatë periudhës 15–21 qershor, temperatura mesatare arriti në 21.1 gradë, duke kaluar pragun që lidhet me shtimin e rasteve fatale.
Ekspertët sqarojnë se në shumicën e rasteve i nxehti nuk shënohet si shkaku kryesor i vdekjes, pasi ai vepron në kombinim me sëmundje ekzistuese, sidomos te të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Për këtë arsye, numri i viktimave vlerësohet përmes analizave statistikore.
Instituti Robert Koch thekson se këto të dhëna nuk përfshijnë ditët më ekstreme të valës së fundit të të nxehtit, ndaj bilanci pritet të përditësohet javën e ardhshme me shifra edhe më të larta./DPA NEWS


