PO NDODH “LUFTË” TE KUVENDI/ Protestuesit me vezë e miell drejt ligjvënësve, policia “me dajak”, valë arrestimesh në shesh (VIDEO)
Pasi policia kishte "blinduar" gjithë zonën pranë Kuvendit, qytetarët të përgatitur për protestë janë përballuar me gardhet prej hekuri.
Protestuesit synojnë të dalin përpara parlamentit teksa vijon të jetë e bllokuar nga blutë.
Deri më tani bëhet me dije, se janë bërë shoqërimet e para nga policia për tejkalim të kufirit të vendosur. Mes të shoqëruarve nga forcat e rendit është edhe eksperti i IT-së dhe aktivisti, Gent Progni.
Gjithashtu raportohet se ka dhe të plagosur, në rrethana të paditura ende.
Ende nuk dihen shkaqet e sakta të këtij shoqërimi, ndërsa situata mbetet tejet e tensionuar në të gjithë zonën përreth Parlamentit.
Mësohet se efektivët kanë ndaluar disa persona, të cilët në ato momente ndodheshin në anë të rrugës, pranë një biznesi që ndodhet afër Parlamentit.
PROTESTA TE KUVENDI
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, është pritur sot me protesta nga një grup qytetarësh para godinës së Parlamentit, në momentin e mbërritjes së tij për seancën plenare.
Protestuesit kanë thirrur parulla kundër tij dhe mazhorancës, ndërsa një pjesë e tyre kanë hedhur miell mbi automjetin e tij.
Mes thirrjeve të dëgjuara në protestë kanë qenë edhe slogane kundër klasës politike në tërësi, përfshirë edhe deputetë të opozitës, ndaj të cilëve janë artikuluar akuza si “opozitë e shitur”.
Ndërsa deputetët kanë hyrë brenda Kuvendit për seancën e sotme plenare, qytetarët janë mbledhur para godinës për protestën e radhës.
Protestuesit e ndodhur përpara Parlamentit, krahas mazhorancës, nuk kanë lënë pas as opozitën.
Teksa deputetët e opozitës hynin në Parlament, protestuesit u janë drejtuar me thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, “Rama burg, Berisha burg” apo “opozitë e shitur”.


